Tiranë, 27 qershor, NOA - Në një kohë që e gjithë bota ka kthyer sytë nga Afrika, mes mijërave tifozë që zbresin çdo ditë në aeroportin e Johanesburgut nuk mund të mungonin edhe shqiptarët. Një numër i kufizuar prej 50 personash janë bërë pjesë e emocioneve të mëdha që ofron Kampionati Botërorë Afrika e Jugut 2010.
Për të parë ndeshjet e fazës së parë çmimi i paketës arrin deri në 3000 euro. Sipas Sadik Malaj, kryetar i Unionit të Operatorëve Turistik në këtë paketë ofrohen pesë netë dhe gjashtë ditë qëndrim.
Brenda saj janë të përfshirë bileta e udhëtimit vajtje-ardhje, mëngjesi dhe darka si dhe tre bileta për të parë ndeshjet që do të luhen gjatë një jave.
Kjo paketë që u ofrohet shqiptarëve është pjesë e ofertave nga operatorët turistikë gjermanë, me të cilët kanë lidhur marrëveshje operatorët shqiptarë.
Agjencitë turistike thonë se nëse Shqipëria do të kishte marrëveshje me shtetin Afrikan, numri i tifozëve shqiptarë ndoshta do të ishte edhe më i lartë.
E megjithatë duke u afruar drejt fazave të rëndësishme gjysmë finale edhe finale, numri i shqiptarëve që do të fluturojnë drejt Afrikës do të jetë edhe më i lartë.
“Ne mendojmë se numri total i shqiptarëve duke parë edhe prenotimet e bëra deri tani do të shkojë deri ne 100 persona”- shprehet Malaj.
Sipas tij, nga informacionet e marra deri tani duke u afruar ndeshjet e rëndësishme, çmimet e paketave pritet të shkojnë deri në 5000 euro.
Zhvillimi i kampionatit botërorë ka ndezur aktivitetin privatë në disa sektorë, si bastet sportive, agjencitë e reklamave, baret apo pabet ku gjatë zhvillimit të këtij evenimenti pritet të qarkullojnë qindra milionë euro.
r.l/NOA