Deçan, 27 qershor, NOA – Tre persona të dyshuar për 37 vjedhje të kryera në rajone të ndryshme të Kosovës, gjatë këtij viti, janë vënë në pranga sot nga policia e Kosovës.
Gjatë hetimit disaditor pohon zyra e shtypit të policisë së Kosovës, pikërisht sektori i Pejës dhe Deçanit, u arrestuan 41 vjeçari N. Sh., 42 vjeçari H. A., dhe 32 vjeçari S. A., të tre qytetarë nga Lipjani.
Gjatë hetimeve operative dhe kontrolleve të bëra nga njësitet policore është arritur të konfiskohet vetura e personave të dyshuar si dhe një sasi e kabllove elektrike, dhe dëshmi tjera që dyshohet të jenë vjedhur në një depo të një kompanie private.
Hetuesit pranë njësisë policore të Deçanit, gjatë vazhdimit të hetimeve të përbashkëta me stacionet policore të rajoneve tjera, kanë mbledhur prova dhe dëshmi ku dyshohet se të dyshuarit kanë kryer vjedhje edhe në qytete të tjera të Kosovës.
Gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit, njëri nga të dyshuarit ka pranuar se ky grup gjatë vitit 2010 i ka kryer 37 vepra penale të vjedhjes, nëpër qytete të ndryshme të Kosovës dhe për këtë njësitë e policisë së Kosovës po vazhdojnë hetimet.
Të dyshuarëve u është caktuar një afat paraburgimi prej 30 ditësh, nga Gjykata Komunale e Deçanit.
mit/NOA