Durrës: Berisha: Z. Daul Erdhi Me Lajmin E Mirë Për Të Gjithë Shqiptarët
DURRËS, 27 Qershor /ATSH-Gëzim Kabashi/. - Kryeministri Sali Berisha tha sot në Durrës se Presidenti i
grupit të Partive Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian, Joseph Daul, erdhi pak ditë më parë në Shqipëri si mik i të gjithë shqiptarëve.
Në përfundim të takimit me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe duke iu përgjigjur interesimit të mediave lidhur me intepretimin që kreu i PS, Edi Rama, i bëri kësaj vizite si një "fushatë në mbështetje të kryeministrit shqiptar", z. Berisha vlerësoi se "Presidenti i grupit të PPE në Parlamentin Evropian, grupi që është në qeverisje në 16 vende të BE, erdhi në Shqipëri me lajmin më të gëzueshëm për çdo shqiptar dhe si mik i të gjithë shqiptarëve".
Sipas z. Berisha, një ditë më parë z. Daul dhe parlamentarët e grupit të tij kishin luajtur një rol shumë të rëndësishëm në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian për heqjen e vizave ndaj Shqipërisë në BE.
"Në këtë kontekst, z. Daul bëri fushatë për mua aq sa bëri për çdo shqiptar që mezi pret lëvizjen e lirë në hapësirën evropiane", komentoi Kryeministri Berisha.
Sipas tij, "në dallim me atë që ndodhi disa javë më parë, këtë herë z. Daul mori takim me të gjitha partitë e spektrit parlamentar shqiptar dhe dha mesazhet më të shkëlqyera të bashkëpunimit".
"Çdo intepretim tjetër i kësaj vizite është jorealist", nënvizoi z. Berisha, duke shtuar se shqiptarët e kanë shumë të qartë se cili ishte lajmi i mirë që ai solli. /s.s./