English

Ekspozita e artistëve kosovarë në Muzeun Kombëtar

Tiranë, 27 qershor, NOa, Milena Selimi - Dy grafistë e dy piktorë paraqiten me plot 70 punime në Muzeun Historik Kombëtar. Kanë qenë grafistët Armend Fazliu dhe Migjen Limani si edhe piktorët Armend Rushiti dhe Venhar Sadiku që u paraqitën këtë fundjavë para publikut të kryeqytetit me një ekspozitë në pikturë dhe grafikë.

Pretendohet që kjo ekspozitë me 70 punime në këto gjini e artistëve nga Prishtina do të qëndrojë e hapur në MHK për pak ditë. Ajo do të mbyllet më datë 28 qershor.

Është një traditë e përbashkët e artistëve paraqitja sëbashku. Në Kosovë, ata janë prezantuar së bashku në ekspozita të ndryshme. Konsiderohen si të rinj shumë premtues dhe të veçantë ën zgjedhjet e tyre.

Në vendin e tyre ata janë vlerësuar si artistë të rinj, por me një të ardhme mjaft të mirë përpara. Migjen Limani, në ciklin e tij më të ri të realizimeve grafike në teknikën e monotipist sjell një frymë të re krijuese.

Simbolikë e veçantë te ky artist vërehet rrethi figurativ si metaforë e një kuptimi filozofik, i cili mund të merret si glob apo si diell që në fakt paraqet kuptimin e lindjes dhe virgjërisë.

“Armend Fazliu vjen me disa teknika në fushën e grafikës. Ai sjell peizazhin modern dhe kompozicione të cilat flasin me një gamë të pasur figurative. Në veprat e Venhar Sadikut paraqiten kryesisht njerëz të cilët vijnë në pikturën e tij me të përditshmen e tyre. Ndërkaq, pikturat e Armend Rushitit janë të realizuara në teknikën vaj në pëlhurë.

Ato vijnë mjaft realiste duke sjellë me vete edhe simbolikën e mikpritjes shqiptare”, është thënë në medien e përditshme shqiptare.

m.s/NOA

KOMENTE