English

Konfindustria:Agjencia e Vëzhgimit do të shqyrtojë konkurueshmërinë e bizneseve në treg

Tiranë, 27 qershor, NOA - Konfindustria në bashkëpunim me institucione të specializuara ndërkombëtare po përgatisin një plan veprimi për krijimin e Agjencisë së Vëzhgimit të Sistemit të Drejtësisë për Konkurueshmërinë e Bizneseve(AVDKB).

Administratori i përgjithshëm i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku tha sot se konfindustria, ka marrë këtë vendim pas ankesave në rritje të bizneseve për cenimin e barazisë në treg të bizneseve nga vendimet e sistemit gjyqësor, ku kryeqyteti zë vendin kryesor.

Sipas Buxhukut, kjo agjenci do të marrë në shqyrtim çdo ankesë të bizneseve lidhur me vendime të gjyqësorit që shkelin ligjin sa i përket konkurueshmërisë në treg.

Buxhuku theksoi se pas vlerësimit nga trupa të specializuara dhe vërtetimit se vendimi është në shkelje të ligjit, agjencia do të përcjellë çdo rast për ndjekje të mëtejshme pranë institucioneve shtetërore si Presidenti i Republikës, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Ministria e Drejtësisë, si edhe para opinionit publik.

Buxhuku saktësoi se dokumentacioni do të shoqërohet së bashku me faturën financiare përkatëse të dëmit të shkaktuar ndaj bizneseve.

“Konfindustria gjykon se një sistem gjyqësor i korruptuar dhe jo profesional, që nuk jep drejtësi, por bëhet palë për të luftuar konkurencën ndërmjet subjekteve në treg, jo vetëm godet me pasoja të pallogaritshme biznesin dhe efektivitetin e ekonomisë kombëtare, por njëkohësisht në thelbin e tij është varrosës i vetë shtetit demokratik”, nënvizoi administratori i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku.

mit/NOA
KOMENTE