Korrupsioni-Ildkp Merr Masa Për 18 Zyrtarë
TIRANË, 27 Qershor/ATSH/.- Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP), në kuadër të luftës kundër korrupsionit, vendosi sot sanksione për 18 zyrtarë të administratës publike, që kanë shkelur ligjin "Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive" dhe ligjin "Për parandalimin e konfliktit të interesave".
Zëdhënësi i ILDKP, Albi Serani, bëri të ditur sot se "gjatë dy muajve të fundit janë dorëzuar në organin e Prokurorisë kallëzime penale ndaj 3 zyrtarëve, për të cilët është evidentuar fshehje e pasurisë dhe deklarim i rremë, ndërsa është aplikuar masa administrative me gjobë për 15 zyrtarë, të cilët nuk kanë shmangur konfliktin e interesave në afatin e përcaktuar dhe sipas parashikimeve ligjore".
Sipas tij "14 zyrtarë janë gjobitur me vlerën 100 mijë deri në 200 mijë lekë të reja, kurse rasti i 15-të është në proces zgjidhjeje".
Zyra për shtyp e ILDKP tha se "pjesa më e madhe e zyrtarëve, për të cilët janë aplikuar masa shtrënguese janë punonjës të administratës doganore dhe tatimore". "Ndër këta, 2 zyrtarë të kallëzuar penalisht dhe 7 të gjobitur për konflikt interesi janë pjesë e organikës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe degëve të saj në rrethe. Ndërsa një zyrtar i kallëzuar penalisht dhe 4 të tjerë të gjobitur për konflikt interesi janë pjesë e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave", thuhet në njoftimin për shtyp.
Katër zyrtarë të gjobitur të tjerë janë drejtues të pushtetit vendor, një kryetar bashkie dhe një kryetar komune në jug të Shqipërisë, një kryetar komune në Qarkun e Tiranës dhe një kryetar komune në Qarkun e Shkodrës.
ILDKP njofton se rastet u arritën të evidentohen në bazë të përmirësimit të teknikave të hetimit administrativ.
/m.m/s.s./