Noka: Ppe, Apel Ramës Që Të Respektojë Kushtetutën E Shtetin Ligjor
TIRANË, 27 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, përshëndeti sot, deklaratën e Partive Popullore Europiane, që vlerëson progresin e Shqipërisë dhe i kërkojnë kryesocialistit Edi Rama të respektojë Kushtetutën e të veprojë konform shtetit ligjor, pasi ky është kriter i Kopenhagenit.
Deputeti Noka iu referua deklaratës së bërë dy ditë më parë (25 qershor) nga Presidenti i Partive Popullore Europiane, Wilfried Martens, koordinatori i grupit të Ministrave të Jashtëm të kësaj partie, Franco Fratini, njëkohësisht Ministër i Jashtëm i Italisë dhe Elmar Brok, anëtar i Parlamentit Europian, pas takimit të fundit të Ministrave të Jashtëm të Partive Popullore Europiane në Assisi (Itali).
Noka vlerësoi mbështetjen e këtyre politikanëve të mëdhenj të Europës për heqjen e vizave dhe për proceset integruese të Shqipërisë.
"
Kjo deklaratë erdhi menjëherë pas vendimit të votuar unanimisht nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian për heqjen e vizave. Liderët e mëdhenj europianë theksojnë se qeveria shqiptare ka bërë një numër të madh koncesionesh për të plotësuar kërkesat e opozitës. Kryeministri Berisha u ka ofruar atyre shumicën dhe kryesimin e një komisioni hetimor parlamentar", tha Noka.
Deputeti demokrat citoi deklaratën e PPE-së që thotë se "sa më shumë koncesione bënte Kryeministri Berisha, Kreu i PS-së, Edi Rama, bënte vazhdimisht kërkesa të reja, të cilat bien në kundërshtim me Kushtetutën, ligjin zgjedhor dhe vendimet e mëparshme gjyqësore".
"Liderët europianë në deklaratën e tyre thonë se Rama nuk është i interesuar për një marëveshje në respekt të shtetit ligjor dhe të Kushtetutës", tha Noka.
PPE është forca më e madhe dhe me më influencë e partive europiane të qendrës së djathtë, që përbëhet nga 73 parti anëtare nga 39 vende./s.s./