English

Reportazh/ Një Ditë Për Çamërinë

QAFEBOTE, 27 Qershor/ATSH-Telnis Skuqi/ - A mund të bëhet më paqësore një protestë se sa me këngë? I tillë ishte marshimi i rreth 5000 çamëve drejt Kllogjerit të Xarës, e pastaj përballë kodrave dhe në pikëtakimin e kufirit shqiptar me atë grek, në Qafë Botë. Ishte marshimi i pestë përkujtimor që komuniteti çam organizoi dje në përkujtim të genocidit grek ndaj këtij komuniteti, menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Një flamur i madh kombëtar, me nënshkrimin "Çamëria", i printe varganit të njerëzve, të cilët për 1 km para hyrjes në Qafëbotë, ecën në këmbë drejt pëllëmbës së fundit të tokës shqiptare, në jug të vendit, rreth 30 km larg Sarandës. .Më parë ishin ndalur në Kllogjer, ku në memorialin që e identifikon këtë zonë si varrezë masive të 2800 çamëve, të cilët 66 vjet më parë vdiqën nga sëmundjet, uria e mundimi, vendosën tufa dhe kurora me lule. ******************************* Sheshi përpara doganës skuqte nga flamujt kombëtarë dhe zbardhte nga bluzat e bardha ku shkruhej "Unë e dua Çamërinë. Këngët dhe ritmet kanë vazhduar për orë të tëra deri në agimin e sotëm, duke e kthyer këtë takim përkujtimor në një festë me kryefjalë Çamërinë. Vetëm një çast në minutat e ardhjes së ditës së re, 27 qershorit, kënga dhe vallja janë ndaluar për të nderuar viktimat në 66 vjetorin e genocidit grek ndaj popullsisë çame, dhe më pas festa ka rifilluar. Sadrie Veliu, 80 vjeç, me origjinë nga Filati (Greqi) dhe me banim në Fier, ishte një nga 5000 pjesëmarrësit që përkujtuan mbrëmë vonë në Qafëbotë (Sarandë) genocidin çam. "Na morrën si kafshë dhe na vunë përpara si dhent", kujton 80 vjecarja, nëna e gjashtë fëmijëve. Ajo rrëfen se në largim për t'i shpëtuar masakrës, shumë nëna në vend të hidhnin plaçkat në lumë hodhën fëmijët. "Kaq të terrorizuara ishim sa nuk dinin çfarë bënin", thotë Sadrija. Jetën ia dedikton familjes, e cila shtegëtoi fshehurazi natën. Pastaj të thotë se çamët nuk u trajtuan mirë nga sistemi komunist, madje për çdo gëzim dhe hidhërim në familje duhet të merrnin leje nga dega e brendshme. "Kur një mik vinte në shtëpi menjëherë njoftohej dega e brendshme", pohon Veliu, ndërsa shton se nënshtetësinë shqiptare e ka marrë me pahir nga Enver Hoxha. "Kam merak të shkoj njëherë pranë varreve të paraardhësve të mi, të vendos lule të frekëta në Çamëri, pastaj të mbyll sytë përjetësisht", shpreh dëshirën e saj gruaja 80 vjeçare. Luftie Tashimi, 45 vjeç, me origjinë nga Arpico (Greqi), dikur mësuese, sot administron një rrobaqepësi të vogël në qytetin e Vlorës. Ka ardhur për herë të parë sëbashku me bashkëshortin për të vendosur lule të frekëta në memorialin e Kllogjerit. Ndërsa bisedon me të tregon se vendlindjen e ka parë njëherë tërthorazi, kur po udhëtonte nga Qafëbota për në Athinë (Greqi). "Një fshat me resurse të mëdha", shprehet ajo, ndërsa nënvizion se babai i saj erdhi në Shqipëri në moshën 24 vjeç. Sot nuk jeton më. Në Arpico, vijon ajo, gjyshi la në mëshirë të fatit një fabrikë vaj ulliri, një dyqan dhe një shtëpi dykatëshe me një portë të madhe, ku hynte i zoti i shtëpisë me gjithë kalë. Shpëtim Idrizi, deputet i Partisë Drejtësi dhe Unitet (PDU), organizatori i marshimit të përvitshëm, thotë se jemi këtu për të nderuar vikimat e genocidit grek ndaj popullsisë së pafajshme çame. "Kauza jonë është gjithënjë e më pranë realizimit", tha ai përpara pjesëmarrësve në këtë tubim. "Ne, dy deputetët çam jemi këtu për t'ju garantuar se do punojmë pa u lodhur deri në arritjen e dhënies së drejtësisë për çështjen tonë" , deklaroi Idrizi, duke shtuar se "zëri ynë, që ju keni filluar ta dëgjoni nëpër media dhe në Parlament, do të bëhet çdo ditë e më i fuqishëm deri në plotësimin e kërkesave tona legjitime". Në Kllogjer ka një gur në nderim të viktimave të genocidit të 66 viteve më parë, por siç u shpreh Idrizi shumë shpejt do të ketë edhe një gur të dytë, ku do të vendosen emrat e atyre që e bënë genocidin./k.sh/
KOMENTE