Reportazh/Plazhet E Kallmit, Mrekullia E Fshehur
RËS, 27 Qershor /ATSH-Gëzim Kabashi/- Plazhet e Kallmit ndodhen vetëm 3 km larg qendrës së Durrësit, por ato vazhdojnë të jenë të panjohura, madje dhe për një pjesë të durrsakëve.
Kodrat në veri të qytetit antik mbajnë ende të fshehura në krahun e tyre perëndimor një zonë bregdetare të mrekullueshme, të cilën banorët e lagjeve të vjetra e quajnë me përkëdheli "Riviera e Durrësit".
Gjithçka që nis me plazhin e Currilave, më i frekuentuari në Durrës deri në fund të viteve 1960, vijon drejt veriut me bregdetin e panjohur të Kallmit, një territor krejtësisht i bllokuar ushtarakisht gjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit të XX.
Diktatura komuniste, pasi shtetëzoi pronat private dhe i mbolli me ullinj kodrat me lartësi deri në 300 metra, në vitet 1970 e militarizoi plotësisht zonën me bunkerë dhe minireparte armësh gjithfarë nga artileria bregdetare deri te kundërajrorët.
Kallmi ka nisur të rizbulohet pas viteve 2000, kur magazinat dhe tunelet e panumërt ushtarakë u zbrazën nga armët dhe eksplozivët e rrezikshëm.
Plazhet e panjohura, mrekullia prej zhavorresh
Shkëmbinjtë prej zhavorresh, të ngjeshura në shekuj, gjiret e vogla me plazhe në formën e gjysmës së hënës, gjelbërimi që nis menjëherë mbi kokat e pushuesve të pakët përveçse e bëjne misterioz këtë territorr fare pranë qytetit, i joshin mjaft dhe plazhistët e thekur që bashkë me banjat e diellit kërkojnë edhe peisazhet e kthjellta nënujore.
Hamdi Vogli është një nga frekuentuesit e përhershëm të kësaj zone. Ai udhëton me biçikletë çdo mëngjes dhe megjithë rrugën kodrinore prej kalldrëmi që vazhdon pas asfaltit të Currilave nuk lodhet kurrë.
"Mjaft nga familjet durrsake i kanë rimarrë pronat e tyre në këtë zonë, por jemi në pritje të një plani rregullues që do të vendosë për mënyrën se si do të shfrytëzohet ajo", thotë për ATSH-në xha Hamdiu, pinjoll i njërës prej familjeve të vjetra si Kapedani, Rexha, Kthupi, Kalamishi apo Vogli që kanë pronat e tyre disadynymëshe në Kallm.
Ai zbret çdo ditë dhe kujdeset për plazhin e vogël ndën tokat e familjes. Në fakt vetëm, disa qindra metra më tej është ngritur një plazh privat. Por që të mbërrish deri atje duhet të kesh një automjet të mirë. "Plazhi i Kthupve është i vetmi që është ngritur në Kallm", tregon xha Hamdiu, ndërsa në pjesën tjetër mund të vijë kushdo. Gjithë puna është që plazhistët të mos hedhin mbeturina dhe t'i marrin qeset me vehte kur largohen me automjet.
Ka të drejtë xha Hamdiu! Plazhi mund të ndtet brenda disa orësh, nëse pushuesit ditorë nuk kujdesen për të.
Megjithëse ditët e fundit të qershorit nuk kanë qenë mjaft premtuese, në plazhet e Kallmit vijnë plot familjarë apo çifte të rinjsh që dëshërojnë qetësinë dhe ujin e pastër.
Qyteti mbetet pas kodrës dhe para syve hapet një peisazh që mbyllet në veri me Kepin e Palit, faqet e zhveshura të të cilit shihen që nga larg.
Me çadrat e diellit në krah dhe me torbat me gjërat e domosdoshme për një paradite të këndshme, vizitorët zbresin nga rruga në gjiret e vogla detare, që ruajnë intimitetin e që nuk e gjen në plazhin tradicional që hapet i panë në pjesën jugore të qytetit të Durrësit.
Rruga e pashtruar dhe mungesa e informacionit ka mbajtur larg plazhistët, duke shërbyer edhe si një mburojë e mirë nga ndotja e mundshme që shkaktohet shumë herë nga pakujdesitë e pushuesve.
Dy vjet më parë, një zjarr i madh shkaktoi djegien e një faqeje të kodrës, ndërsa reshjet e dimrit të fundit kanë lehtësuar rrëshqitjen e dherave drejt bregdetit.
Janë dy rreziqe të mëdha që duhet të shmangen para se në zonën kodrinore të Kallmit prej 6 km, të nisin investimet masive.
Vitet e fundit në qarkun e Durrësit me një vijë bregdetare prej 62 km ka patur një boom të plazheve të reja.
Vetëm në gjirin detar të Lalzit janë aktivizuar për herë të parë plazhet e sektorit Rinia, të grykëderdhjes së Erzenit, ato të Hamallajt dhe të Shën Pjetrit. Ndërtimi i disa rrugëve të reja që bashkojnë në pak minuta këto plazhe me superstradën Tiranë-Durrës ka ndryshuar edhe konceptin e drejtuesve të komunave të Katundit të Ri, Manzës dhe Ishmit, të cilët po e shohin zhvillimin e turizmit si një mundësi e madhe.
Qeveria shqiptare ka investuar më shumë se 1.5 miliard lekë në rrugët e përfunduara, ndërsa po ndërtohen edhe dy të tjera me një vlerë prej 5 milion euro, që do të afrojnë drejtpërdrejt edhe Tiranën e Krujën me zonat turistike dhe plazhet e komunës së Ishmit.
Megjithatë plazhet e Kallmit vazhdojnë të jenë larg syve të turistëve të shumtë. Planet e pushtetit lokal dhe atij qendror pritet të bashkërendohen për t'i dhënë një pamje krejt origjinale kësaj zone me burime të shumta natyrore. /k.sh/