Rumani - Përmbytjet Shkaktojnë Një Të Vdekur Dhe Qindra Të Evakuar
BUKURESHT, 27 qershor /ATSH-AFP/ - Një person vdiq këtë fundjavë në Rumani si pasojë e përmbytjeve të shkaktuar nga reshjet e dendura të shiut, çka solli edhe evakuimin e qindra banorëve në lindje dhe në perëndim të vendit ballkanik, njoftuan sot autoritetet rumune.
''Gjatë dy ditëve të kaluara një person humbi jetën në rajonin e Vranceas, në lindje të vendit dhe një tjetër rezulton i zhdukur në rajonin e Bacuas'', thanë burime qeveritare.
Javën e kaluar, tre persona humbën jetën në qendër të vendit.
Më shumë se 500 persona janë evakuar, sidomos ata që banojnë përgjatë brigjeve të lumit Danub, ndërkohë që rreth 20 trena kanë anuluar shërbimin për pasagjerët për shkak të përmbytjeve./
a.jor.