Tiranë, 27 qershor, NOA – Ndërsa lideri socialist Edi Rama akuzon qeverinë për mos bërjen e transparencës së ekonomisë në vend, Partia Demokratike i përgjigjet kreut të Partisë Socialiste, dhe njëherësh kreut të Bashkisë së Tiranës, duke e akuzuar Bashkinë e kryeqytetit, si të vetmin organ të qeverisjes vendore që refuzon transparencën e fondeve të buxhetit të shtetit.
Deputeti Genti Strazimiri deklaroi sot nga selia Blu se “Këto ditë, jemi njohur me çudinë më të fundit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, i cili refuzon kontrollin financiar rutinë të organeve të përcaktuara me ligj, ne rastin konkret te Prefektit te Tiranës”.
Duke e quajtur si të qeverinë vendore që përfiton më shumë para nga fondet publike, sipas Strazimirit, në bazë të ligjit, paratë e taksapaguesve shqiptarë, të akorduara bashkive dhe komunave nga qeversja qendrore, i nënshtrohen një procedure transparente dhe të mirëpërcaktuar kontrolli lidhur me mënyren se si janë shpenzuar dhe sa kanë mbërritur në destinacionin e parashikuar më parë.
“Bashkia e kryeqytetit nuk mund të qeveriset “me çorape në kokë!”, nënvizoi Strazimiri, duke vijuar më tej se “Shqiptarët nuk kanë para tepër për të humbur në xhepat, qokat, borxhet dhe hallet e asnjë individi!”.
Deputeti i PD-së, e konsideroi qëndrimin refuzues të Edi Ramës si një akt banditesk në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit.
“Në emër të deputeteve të qarkut të Tiranës, kërkoj transparencën financiare deri në qindarkën e fundit të parave të taksapaguesve shqiptarë të akorduara Bashkisë së Tiranës”, përmbylli deklaratën për shtyp nga selia blu, deputetit Genti Strazimiri.
mit/NOA