English

Strazimiri: Transparencë Financiare Për Paratë E Taksapaguesve Shqiptarë Akorduar Bashkisë Së Tiranës

TIRANË, 27 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Deputeti i Partisë Demokratike, Genti Strazimiri, kërkoi sot transparencën financiare të parave të taksapaguesve shqiptarë akorduar Bashkisë së Tiranës. Deklarata e Strazimirit merr shkas pas refuzimit që bashkia e Tiranës i ka bërë kërkesës së Prefekturës për auditimin e përdorimit të fondit të veçantë për vitin 2009, auditim që do të kryhet me ministrinë e Financës, sipas ligjit. Deputeti demokrat theksoi se "në bazë të ligjeve në fuqi paratë e taksapaguesve shqiptarë, akorduar bashkive dhe komunave nga qeverisja qendrore, i nënshtrohen një procedure transparente dhe të mirëpërcaktuar kontrolli, lidhur me mënyrën se si janë shpenzuar dhe sa kanë mbërritur në destinacion". "I vetmi organ i qeverisjes vendore në Republikë që refuzon transparencën, kontrollin dhe kësisoj ligjin është Bashkia e Tiranës dhe kryetari i saj, përfituesi më i madh i fondeve të buxhetit të shtetit. Bashkia e kryeqytetit nuk mund të qeveriset me çorape në kokë", tha Strazimiri. Duke e konsideruar qëndrimin e kryebashkiakut Rama, si një akt banditesk në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit, Strazimiri tha se "shqiptarët nuk kanë para tepër për të humbur në xhepat e asnjë individi, por ata e meritojnë transparencën për paratë e tyre". "Kjo e drejtë buron nga ligjet e vendit përpara të cilave të gjithë janë të barabartë dhe në të cilat vjedhja dënohet", tha Strazimiri. Prefekti i Tiranës, Keltis Kruja, i kërkoi disa ditë më parë qeverisë dhe ministrisë së Financave të ngrijnë çdo lloj buxheti të bashkisë së Tiranës në Thesarin e Shtetit. "Në datë 14 qershor 2010 Prefektura e Tiranës i ka nisur një letër bashkisë së Tiranës, ku ka kërkuar të bëjë një audit në lidhje me fondin e veçantë të Bashkisë, por përgjigja e saj ka qenë negative, prandaj Prefektura kërkon nga qeveria dhe ministria e Financave bllokimin e buxhetit të bashkisë deri sa të bëhet auditi për fondin e veçantë, ashtu siç e kërkon ligji", tha Prefekti Kruja. /s.s./
KOMENTE