English

Vasili: Sulmet e PS-së ndaj institucioneve ekonomike të papranueshme

Tiranë, 27 qershor, NOA – Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili i ka cilësuar të papranueshme deklaratat e fundit të Partisë Socialiste, mbi stabilitetin makroekonomik të vendit, duke e quajtur si një luftë të papërgjegjshme për protagonizëm politik.

“Për ne këto janë të papranueshme, me elementë të theksuar papërgjegjshmërie publike, insinuata të rënda ndaj institucioneve ekonomike në vend, dhe aq më keq kur këto insinuata nuk priren nga analiza objektive të ngjarjeve dhe fakteve, por thjesht dhe vetëm për të justifikuar mungesën e alternativave, mungesën e kthjelltësisë dhe të qartësisë për të parë situatën në të cilën ndodhet Shqipëria”, deklaroi nënkryetari i LSI-së.

Sipas Vasilit tymnaja e hedhur synon të mbulojnë atë çka duket plotësisht, problemet e brendshme që ekzistojnë në Partinë Socialiste, që vijnë si rezultat i subjektivizmit dhe kontradiktave të forta në selinë rozë.

“Unë jam këtu për t’i kërkuar opozitës që të ridimensionojë sjelljen e saj, të orientohet drejt një përgjegjshmrie publike më të lartë, pasi opozita nuk është dhe nuk mund të jetë një organizëm apolitik dhe i papërgjegjshëm që mund të bëjë gjithçka”, nënvizoi Vasili.

Duke qenë se vendi tashmë ndodhet në NATO dhe me një proces të arritur të liberalizimit të vizave, Vasili tha se “një sjellje e përgjegjshme dhe fakte, të cilat duhet të mendohen mirë para se të fliten dhe largimi nga infatiliteti politik për hir të një protagonizmi që zgjat 24 orë, duhet të marrin fund, sepse Shqipëria ka nevojë për një demokraci më të ekuilibruar, ku pozita dhe opozita duhet të sillen në mënyrë të përgjegjshme”, pasi sikundër shtoi Vasili “të gjitha modelet e negativizmit apo të Kasandrës së lënë pas 3000 vjet më parë, nuk janë modele e politikës së shek 21.”.

“Ne jemi këtu të bëjmë thirrje për një model gjithmonë e më evropian në sjelljen e opozitës, që më së pari shton kredibilitetin e saj dhe ndihmon edhe qeverinë të reflektojë për gjithçka që nuk shkon mirë dhe qytetarët të kuptojnë nga ky dialog pozitë-opozitë gjithmonë e më shumë rezultate”, shtoi nënkryetari i LSI-së.

I pyetur lidhur me akuzat që lëshoi deputeti Braçe për raportin e Shërbimit Informativ Shqiptar, se ekonomia shqiptare është nën kontrollin e mafias ndërkombëtare, nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili tha se “deklarata të tilla, të një peshe dhe rëndësie të tillë nuk kanë vendin më për tu bërë në publik. Ato duhet t’u referohen institucioneve përkatëse, të cilat merren ekskluzivisht me luftën ndaj fenomeneve të tilla, aq më tepër që deklarata të tilla kaq të rëndësishme, duhet t’u vihen në dispozicion atyre që kanë autoritetin ligjor dhe kushtetues për t’u marrë me to”.

mit/NOA
KOMENTE