English

Be - Presidenca Belge Do Të Vazhdojë Me Negociatat E Zgjerimit

MADRID, 28 qershor /ATSH-ANSA/ - Presidenca belge e Bashkimit Evropian, që të enjten do të zëvendësojë atë të Spanjës, ka si qëllim të përparojë negociatat për anëtarësimin e Turqisë, Kroacisë dhe Islandës, deklaroi sot nga Madridi sekretari i shtetit për punët evropianë të Brukselit, Olivier Chastel. Në një konferencë për shtyp të përbashkët me homologët spanjollë dhe hungarezë, Diego Lopez Garrido dhe Eniko Gyori, Chastel deklaroi se "Belgjika do të çojë përpara tre dosjet për të cilat ka punuar Spanja, pra atë të Kroacisë, Turqisë dhe Islandës". Belgjika do të marrë presidencën e radhës të BE-së në kushte politikisht të vështira, me një qeveri të drejtuar nga kryeministri në ikje Yves Leterme, i cili është ngarkuar të drejtojë punët aktuale pas zgjedhjeve të fundit politike në pritje të formimit të një ekzekutivi të ri, që nuk pritet para tetorit. Sipas një sondazhi të publikuar sot nga e përditshmja "ABC", presidenca evropiane e Madridit është cilësuar zhgënjyese nga shumica e spanjollëve: 48 për qind deklaruan se nuk ishin dakord me mënyrën e drejtimit të kryeministrit Jose' Luis Zapatero, kundrejt 39 për qind të atyre që ishin të kënaqur. Chastel nuk e përjashtoi mundësinë për të hapur një kapitull të ri negociatash me Turqinë në gjashtë muajt e ardhshëm. Ndërsa për negociatat aktuale me Kroacinë, Gyroi konfirmoi se traktati i anëtarësimit mund të nënshkruhet me Zagrebin gjatë presidencës hungareze të BE-së, që do të pasojë atë belgen, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2011. /e.v/
KOMENTE