Berisha Fton Opozitën Të Kontribuojë Për Reformat
TIRANË, 28 Qershor/ATSH-Anila Struga/.- Kryeministri Sali Berisha ftoi sot opozitën që të japë kontributin e saj në reformat kryesore, duke theksuar se maxhoranca do t'i japë të drejtën e propozimit të amendamenteve.
"Ftoj opozitën që të japë kontributin e saj në të gjitha reformat, pasi kontributi i saj është i domosdoshëm. Qartësoj para shqiptarëve se për të gjitha ligjet që kërkojnë 3/5, opozita do të ketë të drejtën të bëjë çdo amendament që është brenda standardeve dhe maxhoranca do t'i pranojë ato, qoftë për ligjin e 'Gjykatës Administrative', Kodin Elektoral ose për draftin e imunitetit", nënvizoi Kryeministri Berisha gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e përjavshme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike (PD).
Kreu i qeverisë u shpreh i vendosur, që bashkë me opozitën, të bëhen ligje dhe vendime të gjitha rekomandimet e OSBE-së.
"Garantoj se jam i vendosur për të shndërruar në ligje dhe vendime të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-t, dhe kur them bashkarisht nuk tërhiqem nga zotimi që opozita të ketë të drejtën e hartimit të amendamenteve dhe kjo maxhorancë do t'i votojë ato pasi të ketë marrë një opinion nga Komisioni i Venecias apo OSBE/ODIHR", u shpreh Berisha.
Sipas tij, bashkëpunimi nuk është gjë tjetër veç respektit të sovranitetit të opozitës dhe rolit të saj në parlament.
"Në këtë parlament është konsoliduar tradita e bashkëpunimit dhe respektit reciprok dhe tradita e reformave të përbashkëta, në interesin më të mirë të gjitha forcave politike dhe të vendit", tha kryeministri./s.s./