Berisha Vlerëson Kontributin E Federatës Pan-Shqiptare "Vatra" Në Shba
TIRANË, 28 Qershor/ATSH/ - Kryeministri Sali Berisha vlerësoi sot kontributin e vyer, rolin thelbësor dhe të jashtëzakonshëm të Federatës "Vatra", por edhe të të gjithë diasporës shqiptare në SHBA, të cilët kanë qëndruar pranë shqiptarëve dhe zhvillimeve në Shqipëri e Kosovë me një forcë, përkushtim, sakrificë dhe patriotizëm të pashoq.
Sipas Zyres se Shtypit te Kryeministrise, gjatë një takimi me nënkryetarin e Federatës Pan-Shqiptare "Vatra" në SHBA, Agim Rexhaj, Kryeministri Berisha theksoi se në arritjen e pavarësisë së Kosovës, si një nga ngjarjet më madhore për kombin shqiptar, roli dhe përkushtimi i diasporës shqiptare të SHBA ka qenë shumë i rëndësishëm.
Nga ana e tij, Rexhaj falënderoi Kryeministrin për mikpritjen dhe i përcolli përshëndetjet më të ngrohta dhe vëllazërore të gjithë anëtarëve të kësaj shoqate, si dhe të të gjithë diasporës shqiptare në SHBA, bashkë me përgëzimet e tyre për arritjet e mëdha të Shqipërisë dhe Kosovës në vitet e fundit.
Ai i shprehu mirënjohjen për vizionin dhe përpjekjet e tij në të mirë të kombit shqiptar, duke u ndalur veçanërisht në Rrugën e Kombit Durrës-Morinë dhe duke nënvizuar se Federata "Vatra" do të vazhdojë të jetë si në tërë këto vite në mbështetje të plotë të zhvillimit dhe integrimit të Shqipërisë dhe Kosovës.
Në fund të takimit, Rexhaj bëri me dije se në emër të Federatës "Vatra" do të dorëzonte një kontribut prej 35.000$ për zonat e Shkodrës që përjetuan situatën e vështirë të përmbytjeve.
Ndërsa e falënderoi për këtë kontribut dhe gjest kaq fisnik, Kryeministri Berisha u përcolli të gjithë shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në SHBA përshëndetjen dhe mirënjohjen për mbështetjen dhe përkrahjen e tyre. /e.ç//a.ke/