English

Braçe: Shteti është kapur nga monopolet e qeverisë, kyçi për zgjidhjen e krizës

Tiranë, 28 qershor, NOA – Selia rozë ka akuzuar rishtas mazhorancën e zgjedhjeve të 28 qershorit, se rrënimi ekonomik kombëtar dhe ai i familjeve shqiptare janë pasoja direkte e vjedhjes së votës në zgjedhjet e plot një viti më parë.

Nënkryetari i Partisë Socialiste, Erion Braçe doli sot përpara gazetarëve ku ai shënjoi një për një të gjitha rrjedhojat rrënuese që kanë kapur Shqipërinë pas pushtetit ilegjitim që mazhoranca e mori duke vjedhur votat e shqiptarëve, dhe duke e zaptuar ekonominë në monopolet e veta.

“Sot në Shqipëri nuk ka korrupsion, sot Shqipëria është e kapur. Sot në Shqipëri nuk ka thjesht oligopole e monopole, sot në Shqipëri oligopolet dhe monopolet janë konsoliduar dhe përfitojnë maksimalisht duke rrjepur deri në lëkurën e fundit çdo qytetar”, deklaroi deputeti Braçe.

Sipas Braçes, janë gati 4 miliard euro që i xhirojnë e përfitojnë monopolet, që përmblidhen në rreth 60 kompani.

Braçe theksoi se janë pikërisht monopolet dhe ekonomia kriminale që vendi nuk po arrin dot të zgjidhë krizën politike.

Ai zbuloi përmbledhtas në mënyrë të detajuar përpara mediave, në këtë përvjetor të parë të zgjedhjeve të 28 qershorit, të gjitha monopolet e qeverisë dhe atë që u faturohet shqiptarëve në shërbim të këtyre monopoleve.

-Prodhimi, transmetimi, shpërndarja e shitja e energjisë elektrike janë monopol. KESH-monopol i Qeverisë, OST-monopol i Qeverisë, OSSH-monopol i Qeverisë dhe një privati të përzgjedhur prej saj.

-Çmimi i energjisë elektrike caktohet nga këta, rritet prej tyre për të përfituar maksimalisht.

Kjo është arsyeja që qytetarët paguajnë më shtrenjtë energji dhe që nga 1 janari do ta paguajnë edhe më shtrenjtë. Nuk janë pak, por 600 milion euro të paguara në vit.

-Kërkimi, prodhimi, përpunimi, depozitimi, tregtimi i naftës dhe gazit është monopol dhe oligopol! Qeveria përgjithësisht ka hequr dorë nga kjo pasuri shqiptare dhe e ka lëshuar qëllimisht në duart e disa privatëve, të përzgjedhur politikisht, në mënyrë të korruptuar !

Çmimi i naftës dhe gazit caktohet nga këta, rritet prej tyre për të përfituar maksimalisht ! Kjo pasuri shqiptare llogaritet në mbi 3.5 miliard usd dhe nga kjo Shqipëria po përfiton 0 USD, klientët politik dhe familjet në pushtet disa qindra miliona. Kjo është arsyeja që qytetarët, gjithnjë, paguajnë më shtrenjtë naftën dhe gazin për konsum të përditshëm. Nuk janë pak, por 800 milion euro të paguara/vit.

- Telefonia, fikse dhe e lëvizshme, është monopol dhe oligopol, i disa privatëve të përzgjedhur politikisht pa garë ose me gara të korruptuara. Qeveria, Albtelekom, AMC, VODAFON, EAGLE, MOBIL 4AL, ndajnë monopolin, oligopolin dhe përfitimet.

-Çmimi, tarifa e çdo bisede telefonike caktohet nga këta, ulet minimalisht por dhe rritet për të përfituar maksimalisht. Kjo është arsyeja që qytetarët, çdo ditë, paguajnë më shtrenjtë se mesatarja e vendeve fqinje apo evropiane, çdo tingull, çdo germë, çdo foto brenda një komunikimi që paraja e bën të pamundur. Nuk janë pak, por 550 milion euro të paguara/vit.

-Ndërtimi i rrugëve, shkollave, spitaleve, ujësjellësve e kanalizimeve, është oligopol i disa privatëve ku qeveria dërgon, me gara të korruptuara, paratë publike të taksave të shqiptarëve.

-Qeveria ua jep kontratat qeveritare 4-5 kompanive, klientë politikë të saj. Qeveria, ka urdhëruar përqendrimin edhe më të kontratave dhe para tek këta, kur me vendim ka përjashtuar nga tregu dhjetëra kompani që sipas saj nuk kanë realizuar një kontratë të mëparshëm në 70% të vlerës së saj. E gjitha kur ka mbi një vit që nuk i paguan! Ndaj shqiptarët do të paguajnë çdo km rrugë më shtrenjtë, nga 2-15 milion euro. Nuk janë pak, por 750 milion euro/vit.

- 8 tregje të tjera, i importit të grurit/prodhimit dhe shitjes së miellit për bukë, i duhanit, i çimentos, i transportit ajror, i menaxhimit të aeroporteve, i shërbimit/kolaudimit të automjeteve, i menaxhimit të porteve detare, i pullave fiskale, i ilaçeve të rimbursueshme, makinave që kontrakton Qeveria, janë monopol/oligopol/ pa konkurrencë i disa privatëve, përgjithësisht të zgjedhur nga Qeveria politikisht, në gara të korruptuara ku sërish Qeveria ka pjesën e saj. Çmimet i caktojnë këta, i rritin këta për të përfituar maksimalisht. Kjo është arsyeja që shqiptarët paguajnë shtrenjtë dhe do paguajnë edhe më shtrenjtë bukën, duhanin, çimenton, biletat e avionit, taksat e aeroportit, kolaudimin e automjeteve, biletat e taksat e porteve, ilaçet, makinat. Nuk janë pak, por 720 milion euro/vit.

-Tregtimi i bonove të thesarit nuk ka konkurrencë dhe tregu është i përqendruar tek një bankë. BSH dhe Qeveria kanë lejuar këtë gjë duke bërë që çmimi i bonove të thesarit të rritet në mënyrë të pa arsyeshme, për pasojë kostoja e borxhit qeveritar të rritet po aq.

Çmimi i bonove të thesarit caktohet nga këta, pra Banka private, BSH dhe Qeveria, rritet nga këta! Kjo është arsyeja që shqiptarët paguajnë shtrenjtë e do të paguajnë edhe më shtrenjtë për borxhin publik të shtetit, deri në 2 mld usd për tre vite.

mit/NOA
KOMENTE