Dashuria Për Njerëzimin, Mision I Heshtur Në Veprim
-Qilimi ku është lutur, në Arqipeshkvinë Tiranë-Durrës
TIRANË, 28 Qershor/ATSH-Erla Gjikolli/- Edhe pse nuk ka ndonjë kujtim personal me Nënë Terezën, Don Gjergj Meta tregon se qilimi ku është lutur Nënë Tereza deri në çastet e fundit të jetës së saj, ndodhet në selinë e Arqipeshkvisë Tiranë-Durrës në Tiranë.
Ky qilim me motive popullore shqiptare, është sjellë në Shqipëri nga Monsinjor Rrok Mirdita, Arqipeshkvi i Durrësit, Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, në shtator të vitit 1997, kur ai u kthye nga Kalkuta (Indi), pas ceremonisë funerale të Nënë Terezës.
Kur në gusht të vitit 1989, Nënë Tereza erdhi në Shqipëri me protokoll qeveritar, vizita e saj si shtetase shqiptare zgjati vetëm pak ditë, ndërsa kur u largua mori me vete si kujtim nga Shqipëria një qilim, të cilin e vendosi në dhomën e saj të lutjes, në Kalkuta.
Mbi këtë qilim me motive shqiptare, ajo është përkulur edhe në ditët e fundit të jetës.
Pas ceremonisë funerale në nder të Nënë Terezës (në Kalkuta), Monsinjor Rrok Mirdita e ka marrë këtë qilim, mbi të cilin Nënë Tereza është lutur për tetë vjet, deri më 5 shtator 1997, kur ajo u nda nga jeta.
Qilimi ruhet në një sallë të Arqipeshkvisë, bashkë me një portret të Nënë Terezës, ku ajo paraqitet si misionare e bamirësisë.
-Murgesha Gonxhe Bojaxhiu, "dashuri e pastër në veprim"
"Si do ta cilësoja Nënë Terezën? Ajo ishte dashuri e pastër në veprim". Don Gjergji Lusha është biografi më i famshëm i Nënë Terezës së Kalkutës, i cili nga viti 1980 deri në 2002 ka shkruar për bamirësen 12 volume të përkthyera në 35 gjuhë.
"Për herë të parë e takova në vitin 1969, kur isha student i filozofisë në Romë dhe ajo ndodhej në qytet për të përuruar një nga shtëpitë e saj pritëse. Më pas jemi takuar edhe shumë herë të tjera, as nuk e mbaj mend sesa. Kudo që ajo hapte misione të reja unë i qëndroja pranë", tregon don Lusha.
"Momentin më të bukur dhe emocionues e përjetuam në Oslo në vitin 1979 kur Nënë Tereza mori çmimin Nobel për Paqen. Atë ditë kaluam shumë orë së bashku me bashkëpunëtorët e saj më të ngushtë. Falë saj ishte një eksperiencë e jetuar në mënyrë të mrekullueshme", vazhdon tregimin e tij don Lusha.
Don Lusha sjell edhe një dëshmi domethënëse: "Unë me të flisja shqip dhe ajo e konsideronte veten shqiptare, fliste për Shqipërinë dhe shqiptarët si për atdheun dhe për popullin e saj. Vetëm rrallëherë përdorte anglishten për të shprehur terma që nuk i mbante mend në shqip. Nëqoftëse më kërkoni një përkufizim për të, ju përgjigjem se Nënë Tereza ishte dashuri e pastër në veprim, edhe pse është ende herët për të përfaqësuar në të vërtetë çka ajo ishte".
-Një muze për ikonën unikale të humanizmit
Vti 2010 është shpallur nga qeveria e Shqipërisë si viti i "Nënë Terezës", me rastin e 100 vjetorit të lindjes. Aktivitetet në nderim të bamirëses shqiptare me famë botërore kanë nisur në Tiranë dhe më gjerë me një seri aktivitesh për të kulmuar në 26 gusht, ditën e lindjes së saj.
"Me ngritjen e një muzeu për jetën dhe veprën e ikonës unikale të humanizmit dhe të paqes në botë, Nënë Tereza, do të ridimensionojmë identitetin tonë dhe figurën e shqiptares që ndriçoi njerëzimin", është shprehur bashkëshortja e Kryeministrit, Liri Berisha, presidente e Fondacioneve "Fëmijët Shqiptarë" dhe atij Kulturor "Nënë Tereza".
Ky fondacion do të bashkëpunojë me qeverinë për ngritjen e muzeut për Nënë Terezën me qëllim që "të korrigjohet ajo pjesë e shëmtuar e historisë së popullit tonë, duke fituar kohën e humbur në mënyrë që të ridimensionojmë veten dhe figurën e Nënë Terezës", ka vënë në dukje znj. Berisha.
Për zëdhënësin e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Don Gjergj Meta, krijimi i një muzeu të tillë "është i rëndësishëm që të bëhet...Të pasqyrohet vepra e Nënë Terezës në tërësinë e saj, larg nacionalizmave. Ajo ishte shqiptare, por vepra e saj i kaloj kufijtë dhe sot i përket gjithë botës"./s.s./