Florion Mima, deputet i PD, deklaroi sot se taksat e metropolit janë të larta dhe bëri thirrje për biznesin: “Mos paguani më shumë se 10 % të taksës së biznesit, Bashkisë së Tiranës”
Tiranë, 28 qershor, NOA – Deputeti i Partisë Demokratike, Florjon Mima akuzoi sot kryetarin e bashkisë së Tiranës, Edi Rama për paligjshmërinë dhe keqpërdorimin që po i bën ai ligjit duke mos bërë prej disa vitesh transparencën e buxhetit të bashkisë dhe aq më keq duke mos e miratuar atë në Këshillin Bashkiak, por duke punuar me buxhet provizor, për motive krejtësisht politike.
“Zoti Rama për të disatin vit rresht, vazhdon traditën e mosmiratimit të buxhetit në Këshillin Bashkiak, dhe të operimit me buxhet provizor në kushtet të mungesës totale të transparencës për publikun, i cili sipas ligjit do të duhej të informohej me detaje për paratë që paguan në formën e tatimeve, taksave dhe tarifave lokale si dhe për mënyrën e shpenzimit të këtyre parave nga Bashkia e Tiranës”, deklaroi deputeti Mima.
Sipas deputetit të PD-së, kryebashkiaku Rama duke thyer tërësisht ligjin vazhdon të vjelë tatime, taksa dhe tarifa, që e tejkalojnë disa herë kufirin e vendosur nga ligji, sipas të cilit të gjitha tatimet, taksat dhe tarifat nuk mund të jenë më shumë se 10 përqind e nivelit tregues të taksës për biznesin e vogël.
Deputeti Florjon Mima deklaroi ndërkaq se “Partia Demokratike dhe qeveria e mazhorancës do të kthehen në avokatin e mbrojtjes së të drejtave të tatim-paguesve, për të garantuar që paratë e vjela padrejtësisht të kthehen në arkat e tyre”.
Sipas deputetit demokrat, të gjithë ata, që ende nuk e kanë kryer pagesën, mjafton të injorojnë njoftim-tatimet ilegale të bashkisë dhe të paguajnë vetëm detyrimin që thotë ligji.
“Mos harroni! 10 përqind e taksës së biznesit të vogël është detyrimi juaj total për të gjitha taksat dhe tarifat lokale”, sqaroi qytetarët e Tiranës, deputeti Mima.
Ai u bëri thirrje në emër të PD-së, të gjithë organeve tatimore të ndërmarrin sa më parë veprime, verifikuese, kontrolluese dhe bllokuese të kësaj manovre antiligjore të kryebashkiakut Rama si dhe t’u garantojnë transparencën qytetarëve dhe biznesit të vogël.
mit/NOA