Tiranë, 28 qershor, NOA – Ndërsa sot është mbushur plot një vit nga mbajtja e zgjedhjeve të 28 qershorit, zgjedhje të cilat shënuan edhe nisjen e krizës politike mes mazhorancës dhe opozitës, selia rozë deklaroi sot rishtas se qeveria vazhdon të mohojë transparencën e zgjedhjeve, duke mos dhënë shanse për zgjidhjen e krizës politike.
Ishte deputeti i Partisë Socialiste, Namik Dokle që deklaroi se “një vit nga dita kur u bë krimi elektoral me zgjedhjet mazhoranca ende nuk pranon hetimin e zgjedhjeve për t’i dhënë fund ngërçit politik me opozitën".
"Është pikërisht ky qëndrim i mbrapshtë i mazhorancës dhe shurdhëria e saj ndaj transparencës së zgjedhjeve që po e çojnë Shqipërinë në totalitarizëm”, deklaroi deputeti Dokle.Deputeti socialist nënvizoi se projektrezoluta për Shqipërinë, e miratuar nga Komisioni i Jashtëm i PE dhe komisionari për zgjerimin Stefan Fyle, i bën thirrje qeverisë që të arrijë dialogun me opozitën.
“Europa dhe opozita kërkojnë transparencën për zgjidhjen e ngërçit, por qeveria hesht”, tha Dokle, ndërsa evidentoi se opozita ka bërë hapa përdrejt konsensusit politik, por është qeveria ajo që nuk pranon dialogun me opozitën.
mit/NOA