English

Durrësi Dhe Kavaja Do Të Mbikqyren Nga Një Njësi Rajonale E Policisë Rrugore

DURRËS, 28 Qershor /ATSH-Gëzim Kabashi/. - Rrugët e Durrësit dhe të Kavajës që nga dita e sotme do të mbikëqyren nga një Njësi e re rajonale e policisë rrugore. Ndryshimet që janë ndërmarrë në strukturë synojnë përmirësimin e shërbimit dhe parandalimin e aksidenteve në akset nacionale rrugore që bashkojnë Durrësin dhe Tiranën me pjesën jugore të vendit. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit, nga ku do të varet struktura e re, bënë të ditur për ATSH-në se në krye të Njësisë rajonale është emëruar kryekomisar Ervin Hoxha, i cili deri tani kryente funksionin e shefit të Sektorit të Policisë Rrugore në këtë Drejtori. Kjo Njësi përfshin tre nënstruktura: seksionin e Qarkullimit dhe Sigurisë Rrugore; seksionin e Verifikimit, Edukimit e Statistikës si dhe një seksion të veçantë për shërbimet mbështetëse. Deri tani shërbimet e policisë rrugore të rretheve të Durrësit dhe Kavajës vepronin në vartësi të drejtorive përkatëse të policisë për qarkun e Durrësit dhe të Tiranës. Po sot në Drejtorinë e Policisë së Qarkut janë prezantuar shefi i Komisariatit të Policisë së rrethit të Durrësit, kryekomisar Agim Buçpapaj, si dhe shefi i Komisariatit të Policisë së Shijakut, kryekomisar Agron Sulshabani, thanë burimet e mësipërme./s.s./
KOMENTE