English

Ekon - Shënim - Në Samitin E G20-S Të Gjithë Për Rritjen Ekonomike, Por Të Ndarë Për Deficitet

TORONTO, 28 qershor /ATSH-AFP/ - Drejtuesit e vendeve të pasura dhe në zhvillim të G20-s, që zhvilluan samitin e radhës në Toronto pasqyruan më së miri objektivin e tyre të përbashkët për favorizimin e rritjes ekonomike botërore, por shfaqën gjithashtu antagonizmin e tyre në lidhje me reduktimin e deficiteve publike. Presidentët dhe kryeministrat bënë deklarata në lidhje me angazhimin për të konsoliduar rimëkëmbjen ekonomike botërore. Për vendet e industrializuara të G8-s, bota po përballet me fillimin e një rimëkëmbjeje ekonomike të brishtë pasi u përfshi nga kriza më e rëndë ekonomike që prej disa gjeneratash. Presidenti i SHBA-së, Barack Obama dhe kryeministri britanik, David Cameron që gjithashtu duken të ndarë në zgjedhjet e tyre për politikën ekonomike minimizuan mosmarrëveshjet e tyre në përfundim të takimit të tyre të parë. "Ka pasur përgjigje të ndryshme mes dy vendeve tona sepse situatat tona janë të ndryshme, por ne jemi për të njëjtin drejtim, për atë të rritjes ekonomike për një kohë të gjatë'', theksoi Obama. "Ne ndjekim të njëjtën rrugë që është ajo e rritjes ekonomike botërore dhe stabiliteti'', shtoi Cameron. Por G20-ta nuk mund të injorojë një nga kërcënimet e para që peshon mbi këtë rritje ekonomike, rritjen e paevitueshme të borxhit publik në ekonomitë më të mëdha të planetit. Mikëpritësi kanadez kërkon të bëjë reduktimin e deficiteve publike, një nga elementët ndriçues të komunikatës përfudimtare në samit. ''Kryeministri, Stephen Harper synoi të inkurajonte vendet e G20-s të reduktojnë gjysmën e deficitit të tyre deri në vitin 2013 dhe të fillojnë të ulin raportet e tyre mes borxhit dhe Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2016'', theksoi zëdhënësi, Dimitri Soudas. "Fakti që G20-ta u shpreh e gatshme për të pranuar objektivat është diçka inkurajuese'', nënvizoi presidenti i Komisonit Evropian, Hose Manuel Barroso. ''Kjo është një provë e vullnetit të mirë për koordinimin e politikave'', shtoi ai. Sekretari amerikan i Thesarit, Timothy Geithner u shpreh në një linjë të kundërt. "Gjurmët e krizës ekonomike ekzistojnë akoma. Në këtë samit duhet të përqendrohemi në rritjen themelore ekonomike'', konfirmoi ai. Geithner kritikoi gjatë fjalimit të tij pjesën më të madhe të partnerëve të tij të G8-s duke folur për disa shtete të Evropës dhe Japoninë. Ai theksoi se ''nuk ka parë akoma nga ana e këtyre vendeve zhvillimin e një politike që do t'i japë gjithë botës besim në lidhje me faktin që do të ketë një rritje të fortë ekonomike të drejtuar nga kërkesa e brendshme në këto vende në të ardhmen''. Presidenti francez, Nicolas Sarkozy siguroi se mbretëronte një formë konsensusi. "Besoj se duhen mënyra të koordinuara për përgatitjen e skenarëve përsa i përket daljes nga kriza. Nuk është vetëm një partner rreth tryezës së G8-s që kundërshton nevojën për reduktimin e borxheve dhe deficiteve dhe në të njëjtën kohë ta bëjë këtë në një mënyrë pragmatike duke pasur parasysh situatën e çdo vendi'', nënvizoi ai./ /ec/ a.jor.
KOMENTE