English

Fier: Depozitat Shtëpiake Të Ujit, Depozita Të Mundshme Bakteresh Dhe Virusesh

FIER, 28 qeshor /ATSH -Rr.Isufaj / - Një pjesë e familjeve fierake, në pamundësi për të patur ujë të rrjedhshëm gjatë gjithë kohës, kanë vite që përdorin depozitat, kryesisht të vendosura mbi tarracat e pallateve, por, sipas mjekëve, ato kthehen edhe në strehë bakteresh dhe burim virusesh. "Depozitat, edhe pse furnizohen me ujë çdo ditë, përmbajnë baktere dhe lëndë të rrezikshme", tha për ATSH-në n/drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetit Publik, Fier, Shpëtime Kalemaj. Sipas saj, depozitat nuk e zbrazin gjithnjë dhe tërësisht ujin dhe uji që mbetet vazhdimisht aty grumbullon, së bashku me prurjet e tjera, mbeturina. "Ka pasur raste që (uji) ka prurë e grumbulluar edhe ndryshk", tha znj. Kalemaj. Kalemaj i shikon si rrezik depozitat, sidomos kur uji i tyre përdoret për t'u pirë, veçanërisht gjatë verës, për shkak të nxehtësisë. Sipas saj, mbeturinat në ujë, të favorizuara nga temperaturat e larta, shërbejnë si strehë për rritjen e baktereve dhe viruseve. Kalemaj e ngre shqetësimin e nxitur edhe nga regjistrimi i disa rasteve me virozë, të shkaktuara nga uji i ndotur. "Në këto ditë të nxehta vere është rritur numri i personave të prekur nga virozat e stinës. Një nga faktorët, sipas autoriteteve të shëndetësisë, është edhe cilësia e ujit të pijshëm. Konkluzioni është zyrtar dhe ka ardhur pas analizave laboratorike dhe verifikimit në terren," tha Kalemi. Për parandalimin e virozave me origjinë ujin e ndotur dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, znj.Kalemi këshillon që "bulierët të pastrohen dhe klorifikohen çdo ditë." "Mirë është që uji (i depozitave) të konsumohet i zier," përfundon znj. Kalemi./ch/
KOMENTE