English

Fishë Teknike: Nënë Tereza

TIRANË, 28 Qershor/ ATSH- S. Daci, A.Gegvataj/-Në kuadër të 100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MTKRS), si dhe Drejtoria e Institutit të Diasporës në Ministrinë e Punëve të Jashtme, (MPJ) kanë parashikuar një seri aktivitesh gjatë vitit 2010, i njohur si viti i Nënë Terezës. Aktivitetet e parashikuara për 100 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës nga MTKRS: -Në 12 prill u përcoll për publikun shqiptar një koncert homazh me pjesëmarrjen e korit "Nënë Tereza " dhe Orkestrës së Harqeve me kryeveprën e literaturës botërore, "Stabat Master" i Pergolezit, vepër premierë. -Në 4 qershor u organizua një konferencë shkencore për figurën e Nënë Terezës, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Qëndrën e Studimeve Albanologjike dhe Antropologjike, shoqëruar me realizimin e një ekspozite me dokumente arkivore me temë, "Nënë Tereza në shtypin e kohës" - Në Bibliotekën Kombëtare do të realizohet ekspozita e 12 shenjtorëve, në të cilën do të ekspozohen vepra dhe vlera të rralla për Nënë Terezën -Teatri Kombëtar në muajin gusht do të organizojë një mbrëmje muzikore, letrare me prozë dhe poezi për Nënë Terezën me aktorë të këtij teatri. -Në muajt korrik-gusht do të çelet në Galerinë Kombëtare ekspozita e piktorit nga diaspora Gjelosh Gjoka, kushtuar Nënë Terezës. -MTKRS, në bashkëpunim me QNK, do të çelë në muajin gusht në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve, një panair ku do të jenë të ekspozuara të gjitha librat për Nënë Terezën. -Në 26 gusht, në ditën e lindjes së Nënë Terezës do të jepet çmimi për krijimtarinë më të mirë muzikore, për veprën kushtuar Nënë Terezës, si dhe eseja më e mirë e krijuesve të rinj të mbarë shkollave. Po në këtë ditë edhe Muzeu Historik Kombëtar do të hapë një ekspozitë për Nënë Terezën, do të shfaqet një dokumentar i RAI-it në sheshin "Nënë Tereza", më pas do të ketë koncert festiv në shesh, si dhe koncert zyrtar në TKOB. Në sheshin Nënë Tereza midis muzeut arkeologjik dhe rektoratit, po finalizohet ideja për ngritjen e një memoriali me shumë funksione, ku dimensionin kryesor do ta ketë bibliokteka. -Autori Rolan Tasho do të promovojë po në muajin gusht, albumin me foto dhe përmbajtje të lutjeve të Nënë Terezës. -Në shtator do të bëhet promovimi i veprave të autorëve botërorë për Nënë Terezën. -Në muajin tetor do të organizohet Maratona e Paqes, Kupa 'Nënë Tereza', e cila do të ndjek intenerarin e saj Prishtinë-Shkup-Podgoricë-Tiranë, në ditën e lumturimit të saj në 19 tetor. Në tetor do të vihet në skenë nga Teatri Kombëtar drama për Nënë Terezën, dhe në ditën e lumturimit do të jetë aktiviteti i Festivalit Ndërkombëtar të Koreve, me pjesëmarrjen e koreve nga vende të Europës, që do të prezantojnë pjesë nga Oratori për Nënë Terezën për të kënduar të gjithë së bashku. Aktivitetet e Drejtorisë së Institutit të Diasporës : - Me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, një prej përfaqësuesve të diasporës shqiptare në Itali, Sokol Boshi po përgatit një film kushtuar kësaj figure të rëndësishme të kombit shqiptar. - Gjithashtu Drejtoria e Institutit të Diasporës po shpërndan librin biblografik, botim i Muzeut Historik Kombëtar, tek personalitete dhe studiues të diasporës të cilët ua përcjellin edhe personaliteteve të huaja të vëndit pritës, ku janë të vendosur. - Drejtoria e Institutit të Diasporës po shpërndan një film dokumentar dhe libër biblografik i cili është transmetuar në në një nga mediat italiane Rai-it, në shtator të vitit 2007.Filmi dokumentar i titulluar" Nene Tereza e Kalkutës, nje femije me emrin Gonxhe",është përgatitur nga regjizori kosovar Gjon Kolndrekaj, i cili ka publikuar pamje dhe momente për ndikimin që kanë patur mbi të prindërit dhe miqtë e saj. - Aktivitetet kushtuar misionares shqiptare të lindur në Shkup do të kulmojnë me realizmin e një tjetër filmi për Nënë Terezën. Realizmi i këtij filmi është iniciativë e qeverisë shqiptare e cila ka akorduar një shumë financiare, për përgatitjen e të cilit është ngarkuar Kreshnik Hashorva. - Një tjetër aktivitet për misionaren dhe humanisten Nënë Tereza është edhe bashkëpunimi më Lekë Gjojcaj i cili ka botuar librin "Shtatorët e Përjetësisë" dhe që do të shpërndahet në të gjithë diasporën. -Me rastin e 100 vjetorit të Nënë Terezës, nëpër ambasadat shqiptare do të hapen ekspozita fotografike të cilat do të pasurohen më shumë në këtë vit jubilar./a.gj/
KOMENTE