Francë - Kompania E Naftës Total Pezullon Shitjet Për Iranin
PARIS, 28 qershor /ATSH-AFP/ - Kompania franceze e naftës Total pezulloi sot furnizimin me produkte të naftës për Iranin pas miratimit nga Kongresi amerikan të sanksioneve të reja kundër Iranit për ta detyruar Teheranin të heqë dorë nga ambiciet e tij bërthamore, njoftoi kjo kompani.
"I kemi pezulluar shitjet e benzinës dhe të naftës për Iranin", deklaroi ky zëdhënës, duke konfirmuar një informacion të publikuar në të përditshmen britanike "Financial Times".
Kompania e naftës nuk dha hollësi për datën e ndërprerjes së furnizimeve, as për vëllimin e produkteve të naftës në fjalë. Sipas një burimi të afërt me kompaninë franceze, mendohet se bëhet fjalë për sasira të vogla dhe se furnizimet janë ndërprerë që prej disa javësh.
Seria tjetër e masave të miratuara nga të dy Dhomat e Kongresit pritet ende të dekretohet nga presidenti amerikan Barak Obama.
Këto masa, që plotësojnë ato të marra së fundi nga OKB-ja, synojnë veçanërisht bllokimin e furnizimit me naftë të Republikës islamike. Ato prekin kompani ose filiale të tyre që bëjnë biznes me Iranin duke e furnizuar me produkte të naftës së rafinuar ose duke e ndihmuar Iranin të pajiset me kapacitete rafinimi.
/I.Pu.