Tiranë, 28 Qershor, NOA /Milena Selimi - Specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës kanë në proces restaurimi 5 ikona të shekujve XVII-XVIII, të cilat kanë qenë të ekspozuara në pavijonin e Artit Mesjetar në Muzeun Kombëtar.
Por është shumë shqetësuese, gjendja e 778 ikonave të fondit që ruhen në këtë institucion.
Duke iu referuar medias së përditshme, pesë ikona, sjellë nga pavijoni i artit mesjetar në Muzeun Kombëtar, po i nënshtrohen procesit të restaurimit në laboratorin e Institutit të Monumenteve të Kulturës.
Ikonat që datojnë në shek. XVII-XVIII janë ekspozuar për rreth një orë në ceremoninë e organizuar në fund javë me rastin e 45-vjetorit të themelimit të IMK-së.
Ekipi prej emrave të Gentian Vokopolës, Andi Spahias, Olta Kores, Adrian Çenes nga IMK-ja dhe Entela Kasemi nga Muzeu Kombëtar po merren me trajtimin e ikonave. Herë pas here specialistët e kanë risjellë në vëmendje problemin e ikonave që ruhen në Muzeun Historik Kombëtar në kushte jo të përshtatshme, ku mes 778 ikonash ka edhe nga ato që rrezikojnë të humbasin përgjithnjë vlerat.
“Për momentin ne kemi disa materiale të mira në laborator dhe po punojmë me to. Në të ardhmen duhet të shpenzohet për t’u porositur jashtë shtetit dhe për analiza që u bëhen ikonave përpara ndërhyrjes, por nuk është ndonjë kosto e jashtëzakonshme”, ka thënë specialistja Edlira Çaushi.
m.s/NOA