English

Kanada - Obama: Amerika Nuk Do Të Paguajë Për Prosperitetin Botëror

TORONTO, 27 qershor /ATSH-AFP/ - Amerika nuk mund të paguajë për të siguruar prosperitetin e botës dhe do të mbetet e vendosur përballë çdo avantazhi të padrejtë marrë nga një vend, deklaroi dje në Toronto presidenti amerikan, Barack Obama duke ftuar Kinën të mbajë premtimet për rivlerësimin e monedhës së saj. "Pas disa vitesh me borxhe shumë të larta, amerikanët nuk mund dhe nuk do të paguajnë për t'i siguruar prosperitet botës'', deklaroi Obama në një konferencë shtypi në fund të samitit të drejtuesve të G20-s. ''Dhe asnjë komb nuk duhet ta konsiderojë rrugën drejt prosperitetit të shtruar me eksportet drejt Amerikës'', shtoi ai. I pyetur mbi angazhimin e Pekinit në lidhje me rivlerësimin e monedhës së tij, Obama ftoi autoritetet kineze të marrin seriozisht premtimet e tyre. ''Është gjithashtu thelbësore që askush nuk mund të përfitojë nga një avantazh i padrejtë përsa i përket anës ekonomike dhe asaj tregtare për të siguruar një rritje ekonomike të zgjatur në botë'', theksoi Obama duke iu referuar Kinës. Uashingtoni akuzoi Pekinin se po mban artificialisht në nivel të ulët monedhën e saj, juanin, për të favorizuar eksportet në dëm të industrisë amerikane./ /ec/ a.jor.
KOMENTE