English

Kanada - Turqia: Izraeli Të Kërkojë Falje Për Sulmin Kundër Flotiljes

TORONTO (Kanada), 28 qershor /ATSH-AFP/ - Kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan përsëriti kërkesën e tij dje në Toronto që Izraeli t'i kërkojë falje vendit të tij pas sulmit kundër një flotiljeje ndërkombëtare me ndihma ku si pasojë humbën jetën nëntë persona, tetë turq dhe një turko-amerikan. Erdogan në një konferencë shtypi në fund të samitit të G20-s, përsëriti tre kërkesat e Ankarasë, falje nga ana e Izraelit, ngritjen e një komisioni ndërkombëtar hetimi dhe heqjen e plotë të embargos ndaj territorit palestinez. Kryeministri turk, i cili zhvilloi gjatë samitit të G20-s një takim dypalësh me presidentin amerikan, Barack Obama, shprehu besimin se takimi i ardhshëm në fillim të muajit korrik i këtij të fundit me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu mund të ketë një efekt pozitiv mbi qëndrimin e shtetit hebre. Ai këmbënguli në heqjen e plotë të embargos duke cituar raportet e OKB-së mbi mungesën e ushqimeve, medikamenteve dhe materialeve të ndërtimit në Gaza. ''Njerëzit atje vuajnë'', shtoi ai. Erdogan kujtoi se operacioni ushtarak ndodhi në ujërat ndërkombëtare. ''Askush nuk mund të flasë për një sulm kundër Izraelit'', theksoi kryeministri turk./ /ec/ a.jor.
KOMENTE