English

Korçë: Bashkia E Korçës Gjobit Me 1 Milionë Lekë Prefekturën

KORÇË, 28 Qershor/ATSH-Behar Fejzulla/.- Bashkia e Korçës gjobiti sot Institucionin e Prefektit të Korçës me 1 milion lekë, pasi ka urdhëruar kryerjen e punimeve nga disa firma ndërtuese private në aneksin e stadiumit "Skënderbeu". Në një konferencë për shtyp, inspektori i Drejtorisë të Kontrollit të Territorit në këtë bashki, Lorenc Panodhi, tha se "këto firma kanë ndotur mjedisin, duke hedhur mbeturina pranë stadiumit "Skënderbeu", gjë që ka shkaktuar reagime dhe ankesa nga banorët e zonës". Menjëherë pas këtij vendimi reagoi Prefektura e Korçës, që dënoi veprimin e Bashkisë duke e cilësuar atë "të papërgjegjshëm". "Bashkia nuk punon në interes të qytetarëve dhe të nxitjes së veprimtarive sportive. Institucioni i Prefektit të Korçës, në bashkëpunim me biznesin privat, po kontribuon për sistemimin e mjediseve sportive të qytetit dhe ngritjen e veprimtarive sportive në një nivel më të lartë, me synimin që ekipi i futbollit i "Skënderbeut" të jetë në të ardhmen një ekip kampion", tha për mediat zëdhënësja e Prefektit. Konflikti midis Bashkisë së Korçës dhe Institucionit të Prefektit ka nisur një javë më parë, kur mjetet e rënda të dy firmave private dhe të Drejtorisë Rajonale të Rrugëve Nacionale, Korçë, nisën punimet për rikonstruksionin e fushës aneks të futbollit të të rinjve. Në fillimin e punimeve mori pjesë dhe prefekti i Korçës, Andrea Mano, i cili bëri të ditur se veç ndërtimit të kësaj fushe nga biznesi privat, qeveria shqiptare do të financojë edhe rikonstruksionin e tribunës dhe të disa mjediseve të tjera të stadiumit të futbollit "Skënderbeu". Po atë ditë, Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik i Bashkisë së Korçës gjobiti edhe firmat private dhe Drejtorinë Rajonale të Rrugëve Nacionale Korçë me nga 100 mijë lekë./m.m/
KOMENTE