English

Kurum I Kërkon Qeverisë Masa Për Mbrojtjen E Prodhimit Vendas

TIRANE, 28 Qershor/ATSH-A.Gjonaj/.- Kompania turke Kurum i kërkoi të hënën qeverisë marrjen e masave mbrojtëse për prodhimin vendas. Gjatë një seance dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, presidenti i kësaj kompanie, Zeki Kaya, u shpreh se "ne hasim pengesa nga shtetet e tjera edhe pse janë nënshkruar Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë apo edhe marrëveshja INTERIM në kuadër të integrimit të Shqipërisë në BE, pasi shtete si Itali, Spanja apo edhe Greqia, kanë hartuar ligje që favorizojnë prodhimin vendas dhe dëmtojnë kompanitë që eksportojnë". Sipas z. Kaya, Kurum ka investuar deri tani në Shqipëri rreth 120 milionë euro, ndërsa pritet të vihet në funksion në muajin shtator edhe një fabrikë e re me një investim ky prej 16 milionë eurosh me teknologjinë e re të prodhimit të çelikut, që e bën atë mjaft rezistent ndaj lëkundjeve sizmike. Ai tha se aktualisht Kurum prodhon 500 mijë ton çelik në vit, ndërsa kapaciteti është 800 mijë ton. Kurum, sipas z. Kaya, furnizon 60 % të nevojave të tregut shqiptar me çelik. Ai bëri të ditur gjithashtu se Kurum përmbyll edhe 40 % të nevojave të tregut rajonal me furnizimin e çelikut. /a.ke/
KOMENTE