Prishtinë, 28 Qershor, NOA – Një ide për shkëmbim territorial ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka filluar të qarkullojë në qarqet politike në Beograd, si një prej, siç cilësohet, kompromiseve të mundshme mes të dyja palëve.
BBC mëson se ka ide që vlerësojnë se ndarja e veriut të Kosovës, të banuar me shumicë serbe dhe shkëmbimi me territorin e komunës së Preshevës në jug të Serbisë, e banuar me shumicë shqiptare, do të mund të zgjidhte problemin mes dy vendeve.
Propozimet për Kosovën, vijnë në periudhën kur pritet dhënia e mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për ligjshmërinë e pavarësisë dhe pritjes së fillimit të bisedimeve mes palëve pas këtij vendimi.
Ekzistenca e idesë për shkëmbim territoresh nuk është mohuar as nga organizata ndërkombëtare me ndikim, por ato kanë kanë thënë se ajo është më e vështirë të arrihet se sa, siç thuhet, "mendojnë disa vëzhgues në Beograd".
Drejtori për Ballkanin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave (ICG), Marko Prelec, i tha BBC-së se idetë për shkëmbim territoresh tashmë po qarkullojnë, por ato, sipas tij, kanë pak gjasa që të realizohen.
Ai tha se mund të ketë edhe zgjidhje alternative për veriun e Kosovës dhe për Luginën e Preshevës, përveç ndarjes dhe shkëmbimit të territoreve.
Z. Prelec, a mendoni se pritjet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë janë të mëdha në Kosovë dhe në Serbi?
Marko Prelec: Nëse pret zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës, mbase po kërkojmë shumë, por ajo që mendimi këshilldhënës i GJND-së do të bëjë është që do ta fusë Kosovën dhe Serbinë në një fazë të re dhe marrëdhënie të re.
Të dyja palët kanë hezituar të thonë ose të bëjnë ndonjë gjë që në ndonjë mënyrë do të dobësonte pozitën e tyre, përpara dhënies së mendimit. Kjo nga frika se po të bënin ndonjë gjë do të dobësohej pozita e tyre dhe ndoshta do të ndikonte në mendimin e Gjykatës.
Kur Gjykata ta japë mendimin e saj, pavarësisht se çfarë është ai, ky fakt nuk vlen më, dhe mendoj se do të ketë një vullnet të shtuar nga të dyja palët që të hyjnë në diskutime, të hyjnë në dialog dhe të tejkalojnë impasin e krijuar në të cilin janë gjendur të dyja palët.
Dhe ju mendoni se menjëherë pas vendimit të GJND-së, të dyja palët do të ulen dhe do të diskutojnë madje edhe për statusin e Kosovës?
Ka shumë gjasa që të dyja palët do të ulen në dialog, që do të përcaktohet qartë pas dhënies së mendimit. Do të ketë mospajtime të pashmangshme, madje edhe për çështjet që duhet të diskutohen. Për Serbinë kjo ka të bëjë me statusin e Kosovës, kurse për Kosovën çështja e statusit është e zgjidhur dhe nuk dëshiron të diskutohet sërish.
Por ajo që të dyja palët duhet të arrijnë është se nuk mund të imponojnë pikëpamjet e tyre për bisedimet, si një lloj parakushti për të zhvilluar dialogun, sepse për ta bërë këtë atëherë i kërkohet palës tjetër që të pajtohet për çështjen më themelore si një lloj parakushti për të hyrë madje edhe në dialog, që nuk ka kuptim.
Dhe nëse Serbia ose Kosova paraqesin këtë lloj qëndrimi, atëherë do të lënë përshtypjen se nuk janë të interesuara seriozisht për të arritur kompromis, por për të improvizuar. Mendoj se do të kenë mundësinë që bien dakord për të mos u pajtuar se si t'i përshkruajnë bisedimet dhe të shohin se si të ecin përpara.
Ka patur zëra së fundmi nga zyrtarë të lartë serbë që kanë kërkuar një lloj kompromisi për Kosovën. Ju kanë ofruar zyrtarët serbë ndonjë ide se çfarë mund të nënkuptojë ky kompromis?
Grupi i Krizave ka diskutime me të gjitha qeveritë e rajonit në baza të rregullta dhe për mua do të ishte e papërshtatshme që të komentoj këto diskutime meqë ato janë gjithnjë konfidenciale. Por atëherë a është në ndonjë axhendë çështja e ndarjes së Kosovës? Mund të jetë kjo një prej çështjeve që do të mund të diskutohen ndërmjet Prishtinës e Beogradit?
Padyshim janë hedhur ide për një lloj rregullimi territorial. Mbetet ndërkaq të shihet se sa reale mund të jenë ato, por mendoj se më shumë ekziston dëshirë se është e lehtë që të arrihet një marrëveshje. Por ajo që e bën tërheqëse shkëmbimin e territoreve, jo vetëm në rajon, por edhe jashtë tij, tek disa palë, është se duket si një zgjidhje e shpejtë e problemeve praktike, që përndryshe do të ishte e vështirë të zgjidheshin.
Nuk duhet të përjashtohet nëse me të vërtetë të dyja palët mund të arrijnë një konsensus, por mendoj se do të jetë shumë më e vështirë, se sa e mendojnë disa vëzhgues në Beograd, për të arritur një marrëveshje rreth kësaj.
Kur thoni "rregullim territorial", mund të jeni më të saktë se çfarë mendoni me këtë?
Territoret që po diskutohen janë veriu i Kosovës dhe Lugina e Preshevës, më saktësisht, një pjesë e saj. Kjo nënkupton pjesën e banuar me shumicë serbe në Kosovë dhe pjesën e banuar me shumicë shqiptare në Serbi.
Pra, kjo nënkupton se veriu i Kosovës do t'i takonte Serbisë, kurse komuna e Preshevës do të bëhej pjesë e Kosovës?
Ky është një rezultat i mundshëm, por mos të harrojmë se kjo është diçka për të cilën ne po spekulojmë sot, dhe siç e thashë edhe më herët, do të jetë shumë e vështirë që të arrihet një marrëveshje. Djalli fshihet në hollësitë. Ne nuk kemi dëshmi për këtë ende, por edhe nëse që nga fillimi të dyja palët do të kishin mundësi të pajtoheshin se shkëmbimi i territoreve do të ishte një rezultat i dëshirueshëm, ka pak arsye për të shpresuar se do të pajtoheshin se cili është shkëmbimi i drejtë, pra një zgjidhje e drejtë.
Është me rëndësi të kujtojmë se të dyja qeveritë nuk kanë patur kontakte të drejtpërdrejta për më shumë se dy vjet dhe ato kanë pikëpamje skajshmërisht të kundërta lidhur me qëndrimet e tyre dhe lidhur me forcën e pozicionit negociues të tyre. Mendoj se një gjë që do të ndodhë që në fillim të procesit të negociatave është heqja e disa iluzioneve nga të dyja palët, por është e vështirë të parashikohet se çfarë do të ndodhë pas kësaj. A mund të themi se ndarja e Kosovës është një çështje që nuk është më një temë tabu?
Mendoj se është më pak një temë tabu, megjithëse ende nuk ka bisedime dhe nuk është e sigurt nëse do të ketë bisedime. Mendoj se do të ishte mirë që të ketë bisedime, do të ishte e dëshirueshme dhe ka një oreks nga të dyja palët që të ecet përtej impasit të krijuar. Është e pamundur të thuhet me siguri se ato do të zhvillohen për përkufizime territoriale dhe është me rëndësi që, nëse ato vendosin ta hapin këtë çështje, një çështje e debatueshme, të mos lejojnë që të manipulohet me axhendën ndërmjet tyre, meqë kanë shumë gjera të tjera për të cilat duhet të flasin.
Ka edhe zgjidhje alternative për serbët në veriun e Kosovës dhe për shqiptarët në Luginën e Preshevës, që nuk përfshijnë shkëmbim territoresh, dhe që padyshim paraqesin një përparim nga status-quo-ja, dhe që do të nënkuptonin autonomi të ndryshme. Këto çështje do të duhej të shqyrtoheshin. Është e parakohshme të thuhet se çfarë do të ketë në axhendë, dhe gjithashtu e parakohshme të supozohet se për çfarë do të mund të pajtoheshin të dyja palët.
Por cili do të ishte reagimi i bashkësisë ndërkombëtare për idenë e shkëmbimit të territoreve?
Ka një shqetësim të theksuar dhe kundërshtim, pa dyshim, ndaj çfarëdo lloj përmendjeje të ndarjes së Kosovës ose të shkëmbimit të territoreve. Madje edhe nëse ato pajtohen, ka shqetësim se kjo do të shënonte një precedent dëmtues diku tjetër në rajon, të themi në Maqedoni dhe mbase edhe në Bosnjë. Personalisht mendoj se këto janë shqetësime serioze, që duhet të merren parasysh, nga bashkësia ndërkombëtare dhe vetë palët që pritet të hyjnë në bisedime.
Megjithëse mendoj se janë paksa të stërzmadhuara sepse edhe Maqedonia edhe Bosnja janë shtete të qëndrueshme. Por është e qartë se do të ketë një kundërshtim të fuqishëm dhe gjithashtu do të ketë një kundërshtim të fortë edhe nga shtetet evropiane që nuk e kanë njohur Kosovën por gjithashtu edhe në botë. Kjo është me rëndësi të merret parasysh.
BBC