Miratohet P/Ligji "Për Faljen"
TIRANË, 28 Qershor/ATSH/.- Komisioni parlamentar i ligjeve miratoi sot, vetëm me votat e maxhorancës, projektligjin "Për faljen", që përcakton kriteret dhe procedurat e dhënies së faljes për personat që vuajnë dënime me vendim gjyqësor.
Pas miratimit në parim me konsensus, gjatë diskutimit nen për nen dhe më pas në tërësi, p/ligji nuk arriti të merrte votat e opozitës në komision.
Momenti i debatit ishte neni 10, sipas të cilit, presidenti ushtron të drejtën e faljes me propozim të ministrit të Drejtësisë. Sipas deputetëve socialistë, ky formulim cënon kompetencën e presidentit dhe bie ndesh me Kushtetutën. Ky argumentim nuk u pranua nga maxhoranca, pasi sipas saj, Kushtetuta thotë se presidenti e ushtron të drejtën e faljes sipas ligjit.
Projektligji, që pritet të miratohet në seancën plenare të 1 korrikut, synon përcaktimin e kritereve dhe procedurave të dhënies së faljes për personat që vuajnë dënime me vendim gjyqësor. Një mjet i rëndësishëm në këtë drejtim janë instrumentet kushtetuese dhe ligjore të amnistisë dhe të faljes së dënimeve penale që përfaqësojnë akte mëshire ndaj të dënuarve, duke i dhënë mundësinë atyre për integrim social.
Për hartimin e këtij p/ligji janë marrë parasysh një pjesë e madhe e vërejtjeve të disa institucioneve, të misionit EURALIUS II dhe të komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. /a.s/s.s./