English

Nisin Aplikimet Për Festivalin Teatror Të Të Rinjve

TIRANË, 28 Qershor/ ATSH- Suada Daci/- Teatri Kombëtar shpalli sot të hapur aplikimet për "Festivalin teatror të të rinjve 2010", i cili është kthyer jo vetëm në traditë, por edhe në një mundësi të mirë për regjisorët e rinj për të treguar talentin dhe formimin e tyre përmes një projekti të vetëm teatror. "Është një konkurs që ka zënë vend dhe mbështetet nga MTKRS për të qëndruar pranë talenteve të reja në fushën e skenës, kryesisht regjisorë, aktorë, që të promovohen dhe të kenë të drejtë të futen në Teatrin Kombëtar", u shpreh sot në një konferencë për shtyp Drejtori i Përgjithshëm i Politikave të Artit në MTKRS, Nikolla Lena. Ai tha se "ky projekt mbështetet financiarisht me shumën prej rreth 4 milionë lekë me qëllim dhënien e mundësive që këta artistë të rinj të prezantojnë aftësitë e tyre artistike në bazë të këtij audicioni". Ndërsa drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë në TK, dhe anëtari i grupit selektor të aplikimeve të festivalit të të rinjëve, Adonisis Filipi, tha se "ne do të përpiqemi të jemi më fleksibël në drejtim të marketingut të këtyre vlerave". Ai tha se "Teatri Kombëtar është përpjekur që t'i integrojë këtë të rinj në institucione të ndryshme europiane". Ky projekt edhe këtë vit do të menaxhohet nga Teatri Kombëtar dhe është i ndarë në disa faza, ku përfshihet fillimisht zhvillimi dhe dorëzimi i projekteve, vlerësimi e në fund zbatimi dhe shfaqja e tyre. Projektet fituese të këtij festivali do të shfaqen premierë në TK përgjatë muajit shtator dhe në fund të konkurrimit do të vlerësohen me çmime 7 artistë në aktrim si aktori më i mirë protagonist dhe jo protagonist, skenografi dhe regjisori më i mirë. Artistët e vlerësuar me këto çmime do të përshihen në projektet artistike të TK për periudhën shtator -dhjetor 2010 dhe në fund të vitit do të realizojnë shfaqjen finale teatrore. Të vlerësuarit në këtë kompeticion kanë detyrim të realizojnë role të dyta apo impenjime të tjera që do t'u ngarkohen nga TK përgjatë vitit./s.s./
KOMENTE