Shkup, 28 Qershor, NOA – Egjyptianët e Ballkanit, me një tubim kushtuar kësaj date, shënuan 20-vjetorin e organizimit të tyre, në organizim të Lidhjes së Egjyptianëve të Ballkanit.
Në këtë tubim ishin të pranishëm shumë përfaqësues të organizatave të komunitetit egjyptian nga Maqedonia, Kosova e Shqipëria dhe përfaqësues të komuniteteve tjera –malaziase dhe kroate si dhe asociacioneve të tjera që veprojnë në Maqedoni, ndër ta edhe Todor Petrov, kryetar i Kongresit Gjithë-maqedonas. Dhe deputeti i zonës, Tahir Hani.
Fjalë rasti për këtë 20 vjetor rë pasardhësve të faraonëve-egjyptianëve, mbajti kryetari i Lidhjes Ballkanike të Egjyptianëve, Docent Dr. Rubin Zemon.
Pasi përshkroi jetën dhe veprimarinë e egjyptianëve në këto vise, integrimin e tyre në shoqërinë multi-etnike, edhe një herë ritheksoi nevojën që edhe egjyptianët të përfshihen si popull konstituiv në preambulën e Kushtetutës së RM-së, duke iu referuar edhe Marrëveshjes së Ohrit, për barazi të plotë të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.
Këtë tubim e përshëndetën shumë të pranishëm nga shoqatat dhe asociacionet që veprojnë në Maqedoni si dhe koordinatorët e Komunitetit egjyptian në Kosovë e Shqipëri.
Në fjalën e tij të rastit, deputeti Tahir Hani, mes tjerash theksoi se “egjyptianët në Ballkan, e sidomos në Maqedoni edhe pse në numër janë pak, janë inkuadruar në shoqërinë multi-etnike dhe multi-kulturore në Maqedoni, që është një vlerë dhe pasuri për multi-etnicitetin në Maqedoni.
Duke përshëndetur të pranishimit, Todor Petrov, kryetar i kongresit gjithë-maqedonas, foli për lidhjet ndërmjet popujve antik maqedonas dhe egjyptian, që nga koha e Aleksandrit të Madh.
Për të gjithë të pranishmit në këtë tubim për shënimin e 20-vjetorit të organizimit të Egjyptianëve të Ballkanit, u dha një koktej.
n.e/NOA