Përfundon Aktiviteti "Netët Korçare Të Poezisë 2010"
KORÇË, 28 qershor /ATSH-Behar Fejzulla/ - Të paktën 50 poetë nga hapësira mbarë shqiptare, por edhe nga Greqia e Bullgaria, morën pjesë në edicionin e 12 të veprimtarisë poetike Netët korçare të poezisë 2010, që u organizua për tre ditë në Korçë nga bashkia e qytetit në juglindje të vendit dhe klubi i shkrimtarëve "Bota e re".
Veprimtaria nisi në 26 qershor, me ceremoninë e mirëseardhjes, gjatë së cilës drejtori i bibliotekës "Thimi Mitko", poeti Skënder Rusi, u shpreh në fjalën e tij përshëndetëse se "poetët vijnë në Korçën e traditave dhe të kulturës dhe i sjellin asaj ditët magjike të poezisë, freskinë e rimave dhe modernitetin e metaforave".
Në mjediset e Muzeut të Arsimit Kombëtar dhe në bibliotekën "Thimi Mitko", aktorët Margarita Xhepa, Zamira Kita dhe Ligoraq Riza recituan poezi nga krijimtaria më e mirë e letërsisë shqipe dhe e poetëve pjesëmarrës në këtë veprimtari.
Pjesë e ditës së dytë të aktivitetit "Netët korçare të poezisë 2010" ishte dhe promovimi i vëllimit poetik "Eja sot", i poetes korçare, Rakaela Yzeiri, dhe më pas një vizitë e të gjthë pjesëmarrësve në fshatin turistik të Dardhës.
Sot në përmbyllje të këtij aktiviteti u zhvillua konkursi "Parada e poezisë", në të cilin poetët konkuruan duke recituar poezitë e tyre më të mira. Në përfundim të këtij konkurimi, juria vlerësoi me çmimin " Kurora e poezisë 2010", poetin Fazlli Haliti, "Për vlera të mirfillta letrare të sjella në poezinë shqipe, si një zë i veçantë lirik".
Me çmimin "Asdreni" u vlerësua poetja, Vojsava Nelo dhe me çmime speciale dy poetet bullgare, Dimitriva Ravenjela dhe Tatiana Jetnova.
Sipas drejtorit të bibliotekës "Thimi Mitko", Skënder Rusi, gjatë këtij viti në qytetin e Korçës, janë botuar dhe hedhur në qarkullim, pesë vëllime me poezi, tre vëllime me tregime, dhe një dramë dhe janë dërguar për botim edhe disa libra të tjera./ch/