Promovohet Libri "Sekreti I Varrit Të Vetmuar"
TIRANË, 28 Qershor/ ATSH- Suada Daci/- Dëshmi historike dhe letrare që tentojnë të japin përgjigje se çfarë ishte Lufta e II Botërore si dhe periudha pas saj, vijnë të pasqyruara në romanin "Sekreti i Varrit të Vetmuar", i autorit Reshat Kripa, që u promovua sot në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar.
"Kam një vit që punoj për këtë libër, dhe personazhet e këtij libri kanë diçka reale brenda vetes së tyre", tha në një prononcim për mediat autori Reshat Kripa.
"Kur kam qënë në moshë të re historinë e kisha mësuar siç na i mësonin në shkollë, por kur u futa në burg mësova që Shqipëria ka një histori ndryshe, dhe ishte ky shkaku pas kaq vitesh që më bëri të shkruaj këtë roman", tregon Kripa.
Sipas tij, "romani ndahet në dy periudha, nga 7 prilli i vitit 1939- deri në nëntor 1944, dhe pjesa e dytë, pas instalimit të diktaturës komuniste deri në vitet 1950".
Duke folur për personazhet e romanit të tij ai thotë se "janë 2 familje shqiptare, familja Berberi dhe Selmani, të lidhura ngushtë me njëra-tjerën. Familja Berberi është më mendime nacionaliste, ndërsa familja Selmani me parime komuniste".
Ai tregon se "pas përfundimit të luftës djali i familjes Selmani, Urani, bëhet gjykëtas, ndërsa dy djemtë e familjes Berberi arrestohen dhe Urani, i cili është një figurë me horizont të gjerë nuk i dënon vdekje, por me burg dy djemtë, të cilët më vonë dënohen me vdekje nga Gjykata e Lartë dhe në këto kushte Urani vret veten".
Duke e cilësuar këtë libër si një vepër që sjell edhe dëshmi historike, por edhe letrare, studiuesi Behar Gjoka thotë se "për mua vlera është dëshmia historike, e cila vjen përmes vlerave letrare të thjeshta si strukturë kompozicionale, dhe kemi një situatë ku tentohet të jepet një përgjigje se çfarë ndodhi në shoqërinë shqiptare nga Lufta e II Botërore e më pas".
Sipas tij, "ky libër i drejtohet të gjithë lexueseve shqiptarë, por sidomos brezit të ri. Shumë prej të rinjve nuk e dinë se çfarë ka ndodhur në Shqipëri, por të vërtetën letrare le ta prekim përmes një përfytyrimi të një realiteti letrar që na largon nga e keqja dhe nuk na përfshin në të".
Autori Reshat Kripa u lind në Vlorë në vitin 1936. Në periudhën 1942-1946 kreu shkollën fillore në Tiranë dhe në '46 dëbohet për motive politike në Vlorë.
Në vitin e parë të gjimnazit krijon një grup ku shpërndajnë trakte, dhe arrestohet për t'u liruar më pas në vitet 1955. Pas asaj periudhe është munduar të shkruaj meqënëse letërsinë e kishte pasion, por veprat e tij nuk e gjetën dritën e botimeve.
Pas viteve 1990 ka shkruar disa libra si, "Përmbledhje tregimesh", botuar në 2004, romanin "Shkallët e ferrit", librin me kujtime, " Rini e coptuar", etj./s.s./