Provimet Me Zgjedhje- Gati Materialet E Testit
TIRANË, 28 Qershor/ATSH/- Maturantët kanë edhe dy ditë kohë për të bërë përgatitjet e fundit për garën e pranimeve në universitete.
Ekspertët e arsimit të ngujuar në ambientet e Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), kanë përzgjedhur pyetjet për të tre nivelet e vështirësisë që do të përmbajë teza e provimit për të 12 lëndët me zgjedhje, e cila do të përmbajë 20 pyetjet.
Nën masa të rrepta sigurie, gjatë ditëve të mbetura të ngujuarit në AVA, do të shumëfishojnë materialet e provimit, të cilat do të fillojnë të shpërndahen nëpër rrethe pak orë para zhvillimit të provimit.
Ashtu siç është përcaktuar edhe në rregulloren e maturës 2010, tezat e provimeve do të përmbajnë pyetje të kombinuara ndërmjet atyre me përgjigje alternative dhe pyetjeve që do të plotësohen me shtjellim.
Maturantët duhet të tregohen të kujdesshëm që në ditën e provimit t'i përmbahen plotësisht rregullores, në të kundërt, rrezikojnë mosnjohjen e rezultatit të provimit e për rrjedhojë humbasin dhe të drejtën e konkurrimit për universitet në fazat e mëtejshme.
Rezultatet e secilit provim të Maturës nuk kushtëzojnë hyrjen në provimet e tjera. Çdo maturant mbetës në provimet e detyruara ( D1 dhe D2) ka të drejtën e riprovimit në sesionin e dytë (të vjeshtës), si dhe ka të drejtë të japë edhe provimet me zgjedhje, por kurrsesi nuk do të lejohet të marrë pjesë në garën e selektimit për të drejtën e studimeve të larta në universitetet publik.
Edhe pse nuk janë miratuar ende zyrtarisht kuotat e pranimit në universitet publike për vitin akademik 2010-2011, jo të gjithë pjesëmarrësit do të pranohen në universitete. Në total mendohet që edhe për 2010, të drejtën e studimeve të larta do ta gëzojnë rreth 22 mijë kandidatë, teksa në provime janë regjistruar për të marrë pjesë rreth 40 mijë maturantë.
Sipas propozimeve të bëra deri më tani për Universitetin e Tiranës, degët e të cilit janë edhe më të kërkuarat në rang vendi, janë propozuar rreth 7 mijë kuota pranimi duke përfshirë këtu edhe kuotat e sistemit part-time. Ndërsa pjesa e mbetur do të shpërndahet në Universitet e tjera publike. Gjatë këtyre ditëve pritet të përcaktohen edhe modalitet e zhvillimit të konkursit për pranimet që do të kryhen në akademitë sportive dhe ato artistike./e.gj//a.ke/