Rumani - Përmbytje - Bilanci Arrin Në Gjashtë Të Vdekur Dhe 1 500 Shtëpi Të Dëmtuara
BUKURESHT, 28 qershor /ATSH-AFP/ - Autoriteet rumune gjetën trupin e një gruaje të mbytur gjë që e çoi në gjashtë numrin e të vdekurve nga përmbytjet që kanë përfshirë vendin që prej një jave, njoftojnë sot burime pranë inspektimit të përgjithshëm për situatat e emergjencës, IGSU.
Në rajonin Suceava, në veri, autoritetet gjetën trupin e një gruaje 54 vjeçe, e rrëmbyer nga ujërat dhe të cilën disa ekipe shpëtimi po e kërkonin që të shtunën.
Më tepër se 1 500 shtëpi dhe më tepër se 9 500 hektarë kullota, pyje dhe toka bujqësore mbeten të prekura nga përmbytjet në 73 lokalitete në të gjithë vendin, bëri të ditur IGSU-ja. Rreth 30 ura janë dëmtuar.
Javën e kaluar, pesë persona gjetën vdekjen nga rritja e nivelit të ujërave. Qarkullimi rrugor dhe hekurudhor u rëndua dhe më tepër se 500 persona u evakuuan gjatë fundjavës.
Alarmi i nivelit të kuq është në fuqi që prej orës 13:00 GMT të së martës në dy rajone në veri të vendit.
/I.Pu.