Seri Aktivitetesh Në 20 Vjetorin E Ngjarjeve Të Ambasadave
- Kryeministri Berisha deklaron në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së -
TIRANË, 28 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Shqiptarët do të kujtojnë me një seri aktivitetesh 2 korrikun e vitit 1990, një ngjarje që shënoi fillimin e përmbysjes së komunizmit në Shqipëri, kur mijëra qytetarë shembën "Murin e Berlinit", në Tiranë, duke hyrë në territorin e ambasadave të vendeve të lira.
Jubileu i 20 vjetorit të kësaj ngjarje të madhe, që sipas Kryeministrit Sali Berisha, "përmbysi epoka dhe sisteme", do të hapë siparin e një serie aktivitetesh që do të nisin me një miting pasditen e datës 1 korrik në Qytetin 'Studenti' në Tiranë dhe më pas do të kujtohet me një ekspozitë që do të çelet në datën 2 korrik.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kreu i Qeverisë u shpreh se "ky është viti jubilar i shembjes së Murit të Berlinit në Shqipëri". "Muri i Berlinit shtrihej nga Kanali i Korfuzit deri në Ngushticën e Beringut, por nuk ka mëdyshje se pjesa më me gjemba dhe më mizore e këtij muri, kalonte nga Shqipëria", tha ai.
Berisha e cilësoi socializmin shqiptar, si një nga nga format më të egra të skllavërisë, që e përjetuan së paku 2/3 e shqiptarëve.
Kryeministri kujtoi se 20 vjet më parë analistë, dijetarë, publicistë, por mjerisht dhe politikanë, parashikonin se Shqipëria do mbetej "Kuba e Adriatikut" dhe nuk parashikonin shembjen e murit.
"Por shqiptarët mendonin se nuk mund të mbeteshin 'Kuba e Adriatikut' dhe duhet të bënin detyrën e tyre. Në një terror të pakrahasueshëm me detyrën që bënë qytetarët e Gjermanisë Lindore, hungarezët, polakët dhe bullgarët, qytetarët shqiptarë nisën lëvizjet e fuqishme që ne do i nderojmë bashkarisht në këtë 20 vjetor", tha Kryeministri Berisha.
2 korriku 1990, sipas Kryeministrit Berisha, "përbën përpjekjen e madhe të rinisë shqiptare për të shembur Murin e Berlinit në Tiranë". Duke e konsideruar 2 korrikun një datë të shënuar në historinë e demokracisë së këtij vendi, Berisha tha se "u përzgjodh Qytetin 'Studenti' për ta nderuar këtë datë, sepse në dallim nga të gjitha vendet e tjera ish- komuniste, regjimi diktatorial ia doli ta rivendosë Murin e Berlinin me terror, dhunë dhe ekzekutime".
"Qindra të rinj shqiptarë u ekzekutuan në kufij për fajin e vetëm se u nisën drejt botës së lirë, trupat e tyre u zvarritën në Sarandë, në Shkodër e qytete të tjera. Regjimi bëri çdo përpjekje për të ngritur dhe mbajtur Murin e Berlinit në këtë vend", tha Berisha.
Një përpjekje, që sipas Kryeministrit, "nuk zgjati shumë, sepse në dhjetor 1990 rinia studentore shqiptare bëri historinë e këtij kombi, duke rrëzuar në mënyrë përfundimtare perden e hekurt dhe themeluar pluralizmin në këtë vend".
"Ne do të nderojmë 20 vjetorin e atyre ngjarjeve të mëdha që përmbysën epoka dhe sisteme. Askush në Evropë dhe botë nuk e ka pasur më të vështirë se shqiptarët, që ishin një komb që përjetonte terror dhe ku harresa kishte krijuar harresën", tha Berisha.
Nëse mbarë bota nderoi vitin e kaluar 20 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, sipas Kryeministrit, "shqiptarët kanë sot një motiv 20 herë më të madh për të nderuar këtë 20 vjetor"./s.s./