English

Shqetësimi, pas heqjes së vizave mjaft ballkanas nuk po kthehen nga BE

Shkup, 28 Qershor, NOA – Liberalizimi i vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor duket se nuk do të kalojë pa krijuar shqetësime.

Kështu, pas kërkimit të azilit politik nga dhjetëra ballkanas menjëherë sa u hoq regjimi Shengen në fillim të këtij viti, autoritetet evropiane janë përballur me verifikime të mjaft prej tyre të cilët kanë qëndruar më shumë se tre muaj në hapësirën Shengen, siç lejon në fakt edhe marrëveshja për heqjen e vizave.

Bëhet me dijeni se ata janë kryesisht shtetas nga Maqedonia, të cilët po qëndrojnë ilegalisht në vendet e zonës së Shengenit si Belgjika, Holanda, Franca, Gjermania, Zvicra, Suedia dhe Norvegjia etj.

Enti për Migrim në Belgjikë është shprehur mjaft i shqetësuar nga kjo situatë, duke theksuar se do të aplikohen masa sanksionuese ndaj të gjithë atyre që do të kapen me qëndrim ilegal dhe që nuk kanë respektuar periudhën kohore që ofron liberalizimi i vizave, duke ua bllokuar të drejtën për futen në rajonet Shengen për vite me radhë.

Kjo, në një kohë kur marrëveshja për heqjen e vizave e Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor, parashikon që përfituesit e saj nga vendet e Ballkanit, nuk kanë të drejtë të qëndrojnë më shumë se tre muaj në hapësirën Shengen, e paskëtaj, duhet të rikthehen në vendet e tyre, për të qëndruar atje tre muaj, e vetëm pas kësaj periudhe, mund të synojnë sërish tokën evropiane.

NOA-INA

KOMENTE