Sport-Botëror/ Brazil - Kili, Spektakël Amerikanolatin Në Afrikë
TIRANË, 28 Qershor /ATSH - Gjergji Mima/ - Ekipet nga Amerika e Jugut po shkëlqejnë në këtë botëror, më progresin e tyre të qëndrueshëm e të kënaqshëm. Dy ekipet amerikanojugore, Brazili dhe Kili, tani janë vendosur përballë dhe vetëm njëri do të vazhdojë turneun.
Të dy palët luajnë në stile të ndryshme, Brazili çuditërisht bazohet në kundërsulme dhe jo në imponim të aftësive të veta. Nisur nga kjo, trajneri Dunga shpesh është kritikuar, por arritja e skuadrës deri këtu nuk mund të vihet në dyshim.
Të zhgënjyer nga ky botëror ndihen edhe fansat e Brazilit, për spektaklin e munguar në fitoren 2-1 ndaj Koresë së Veriut. Më pas në fitoren tjetër me Bregun e Fildishtë dhe më shumë në ndeshjen me Portugalinë, që ishte cilësuar si "festa e futbollit".
Nëse tek Brazili ka patur turbullira, Kili ka paraqitur deri tani një formë të palëkundur. Trajneri argjentinas, Marcelo Bielsa, i ka dhënë shpirt luftarak skuadrës, duke e bazuar lojën e saj në formacionin 3-3-1-3, që deri tani ka rezultuar i suksesshëm.
Ndeshja kundër Brazilit do të thotë "mobilizim" për kilianët. Në 65 ndeshje mes tyre, Kili ka vetëm 7 fitore dhe rreth 100 gola disavantazh.
Historia e takimeve të mëparshme flet plotësisht në favor të brazilianëve: tetë fitore në tetë ndeshjet e fundit. Prej gushtit 2006 deri sot, "Seleçao" ka triumfuar pesë herë, duke shënuar 20 gola. Gjashtë prej këtyre i ka realizuar Robinjo. "Na ka shkuar mirë përballë Kilit. I kam shënuar gjashtë herë dhe shpresoj të bëj të njëjtën gjë edhe sot", pohoi sulmuesi në konferencën e shtypit.
Brazil - Kili, formacionet e mundshme:
Brazili (4-2-3-1): Julio Cesar, Maicon, Lucio, Juan, Bastos; Gilberto Silva, Felipe Melo; Elano Kaka, Robinho; Luis Fabiano. (Gomes, Dani Alves, Luisao, Thiago Silva, Gilberto, Josue, Ramires, Julio Baptista, Kleberson, Nilmar, Doni, Grafite). Trajner: Karlos Dunga
Kili (3-4-3): Bravo, Isla, Contreras, Fuentes; Vidal, Carmona, Millar, Fernandez; Suazo, Beausejour, Sanchez. (Pinto, Marin, Jara, Tello, Fierro, Valdivia, Gonzalez, Paredes, Orellana). Trajner: Bielsa
Gjyqtar: Howard Webb (Angli) /a.ke/