English

Sport-Botëror/ Brazili Kalon Lehtësisht Kilin, Tani Mendon Për Hollandën

IRANË, 28 Qershor/ ATSH - Gjergji Mima/ - Asnjë surprizë në ndeshjen mes Brazilit dhe Kilit të vlefshme për fazën e 1/8 të Botërorit afrikan. Pesë herë kampionët e botës zhvilluan një lojë racionale në fushë dhe siguruan fitoren e pastër 3-0. Ndeshja nisi me Kilin më kërkuese dhe Brazilin që tregohej i kujdesshëm në fazën mbrojtëse. Por pikërisht në minutën e 35-të, kur Kili po luante më mirë, brazilianët i ndëshkojnë me një gol të shënuar nga mbrojtësi Huan i cili i harruar nga mbrojtja kiliane shënon me kokë pas ekzekutimit të një goditje kendi prej Maikon. Tre minuta më vonë skuadra e Kilit tronditet sërish teksa zihet në befasi prej një kundërsulmi brazilian. Disa kombinime të sakta Robinjos dhe Kakasë nxjerrin Luis Fabianon përballë portierit Klaudio Bravo. Sulmuesi brazilian shmang edhe mbrojtësin ekstrem të Kilit dhe me portën e boshatisur nuk e ka të vështirë të shënojë. Pjesa e parë mbyllet 2-0 për skuadrën e Dungës. Fraksioni i dytë nis me Kilin në kërkim të golit që do t'i hapte shpresat për një kualifikim të mundshëm, por muri brazilian në mbrojtje i formuar prej Lusios dhe Huanit është i pakalueshëm. Në minutën e 59 Robinjo pas një topi të marrë prej mesfushorit Ramires, i cili në këtë takim la në stol Felipe Melon, bën gjithçka mirë dhe shënon golin e tretë dhe hipotekon kualifikimin. Në pjesën e mbetur kilianët përpiqen të reagojnë me disa tentativa të rrezikshme nga distance, që gjithësesi nuk sollën ndryshim rezultati. Brazili fiton 3-0 dhe përgatitet tashmë për supertakimin e fazës çerekfinale ndaj Holandës që mundi Sllovakinë 2-1. Të martën luhen dy ndeshjet e fundit të fazës së 1/8-ve, ku përcaktohet edhe çifti i fundit çerekfinalist. Japonia përballet me Paraguajin ndërsa në mbrëmje rezervohet derbi iberik mes Spanjës dhe Portugalisë. Brazil - Kili 3-0 Shënues: Juan 35', Luis Fabiano 38', Robinjo 59' Brazili (4-2-3-1): Julio Cesar, Maicon, Lucio, Juan, Bastos; Gilberto Silva, Dani Alves; Ramires Kaka, Robinho; Luis Fabiano. (Gomes, Felipe Melo , Luisao, Thiago Silva, Gilberto, Josue, Elano , Julio Baptista, Kleberson, Nilmar, Doni, Grafite). Trajner: Karlos Dunga Kili (3-4-3): Bravo, Isla, Contreras, Fuentes; Vidal, Carmona, Millar, Fernandez; Suazo, Beausejour, Sanchez. (Pinto, Marin, Jara, Tello, Fierro, Valdivia, Gonzalez, Paredes, Orellana). Trajner: Bielsa
KOMENTE