English

Basha: Decentralizimi I Pushtetit Vendor, Pjesë Përbërëse E Proceseve Integruese Në Be

TIRANË, 29 Qershor/ATSH- Mira Shkurta/- Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, vlerësoi sot se "procesi i decentralizimit të Pushtetit Vendor, si pjesë jetike e proceseve të tjera integruese, do të vazhdojë përqasjet ndaj standardeve të kërkuara nga BE, duke përmbushur kështu pritshmërinë e zgjedhësve dhe të zgjedhurve vendorë". Në takimin e organizuar në Hotel "Sheraton" me kryetarë të komunave, të zgjedhur vendorë, kryetarë të qarqeve të vendit, ku u prezantua edhe botimi "ABC-ja e Bashkimit Evropian për njësitë e pushtetit vendor", ministri i Brendshëm vlerësoi të rëndësishëm në këtë proçes rolin që Shoqata e Komunave të Shqipërisë ka luajtur në Decentralizimin e Pushtetit Vendor. Sipas Bashës, këto reforma janë kryer në përputhje të plotë me dokumentat kryesorë të Kongresit të Autonomisë Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës dhe kanë afruar nga viti në vit për Pushtetin Vendor, më shumë përgjegjësi dhe kompetenca, më shumë autoritet fiskal dhe burime njerëzore, më shumë pasuri publike dhe burime financiare. Ministri Basha u ndal në disa nga reformat më të rëndësishme që qeveria shqiptare ka ndërmarrë në favor të decentralizimit të qeverisjes vendore, duke përmendur ketu zgjatjen e mandateve të të zgjedhurve vendorë nga tre në katër vjet, transferimi i pronave publike të paluajtëshme, pyjeve dhe kullotave drejt Pushtetit Vendor, transferimi i furnizimit me ujë të pijshëm në vartësi të pushtetit vendor, konsolidimi i financave vendore në fushën e regjistrimit të biznesit, planifikimit territorial, etj. Në vazhdim, ministri Basha bëri të ditur edhe hapat që po ndërmerren për thellimin e procesit të transparencës dhe luftës kundër korrupsionit, vendosjen e prokurimeve për të gjitha agjencitë e qeverisjes vendore që nga muaji janar i vitit 2009, në formë elektronike, rikonstruksionin dhe modernizimin e Gjendjes Civile, përfundimin e Regjistrit Elektronik të Sistemit të Adresave, etj. Për këtë proces, i cili përmbyll një fazë të rëndësishme të modernizimit dhe europianizimit të infrastrukturës mbështetëse për Pushtetin Vendor, Basha kërkoi nga ana e njësive që janë prapa në këtë proces, të përshpejtojnë punën për përmbylljen e kësaj faze, duke garantuar ndërkohë mbështetje dhe angazhim nga dikasteri që ai drejton për të përfunduar këtë proces në dobi të qytetarëve dhe larg çdo loje politike./s.s./
KOMENTE