English

Decentralizimi I Pushtetit Vendor, Prezantohet Botimi I Be-Së Për Njësitë E Pushtetit Vendor

TIRANË, 29 Qershor /ATSH- Mira Shkurta/ - Drejtuesit e pushtetit vendorë në Shqipëri kanë tashmë në duar një libër që do t'u shërbejë atyre si udhëzues në procesin e decentralizimit të pushtetit vendor dhe debatin mbi integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, i financuar nga Agjencia Suedeze e Zhvillimit (SIDA). Botimi "ABC -ja e Bashkimit Europian për njësitë e Pushtetit Vendor" u prezantua paraditen e sotme në Hotel "Sheraton", në prani të Kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Brendshëm Lulzim Basha, dhe konsiderohet si një ndihmë e jashtëzakonshme për vendorët shqiptarë, duke i ofruar ata me standardet dhe normat e veprimtarisë së qeverisjes vendore në vendet e BE-së. Decentralizimi i Pushtetit Vendor vlerësohet si një proces që sjell shërbimet me afër komunitetit, rrit pjesëmarrjen e komunitetit në qeverisje, efektivitetin në përdorimin e burimeve vendore, zhvillon ndërgjegjësimin e nëpunësve të qeverisjes qendrore drejt kushteve dhe nevojave të veçanta vendore. Në të njëjtën kohë decentralizimi i pushtetit vendor, lejon një përkushtim më të thellë të nëpunësve të qeverisjes vendore drejt çështjeve strategjike dhe politike, rrit përgjegjësinë e iniciativave të Qeverisë drejt nevojave vendore, si dhe thjeshton proçedurat burokratike në planifikimin qendror qeverisës dhe kontrollin e programeve sociale Në këtë botim ndër të tjera del në pah se "proçesi i përgatitjes dhe ai i anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian, është një proçes i gjatë dhe intensiv dhe kërkon përgatitje të gjithanëshme nga të gjithë aktorët institucionale të shoqërisë shqiptare". Nga ana tjetër, në këtë botim kërkohen studime dhe njohje të pasojave që ky proçes ka mbi këta aktorë, një prej të cilëve është edhe Pushteti Vendor. Botimi u hartua me përfshirjen aktive njëvjeçare të Grupit të Punës mbi Çështjet e Integrimit Europian të Shoqatës së Komunarëve të Shqipërisë dhe është menduar si hapi i parë me karakter informative mbi Bashkimin Europian, institucionet dhe vendimarrjen e tij. Shoqata e Komunave të Shqipërisë është themeluar në gusht të vitit 1997, me qëllim unifikimin e anëtarëve të saj, komunave të Shqipërisë, për t'i mbështetur dhe përfaqësuar ato në ndikimin e proçesit të decentralizimit, në përputhje me Kartën Europiane të Autonomisë Vendore, Kushtetutën e Shqipërisë dhe legjislacionin përkatës. Kjo shoqatë është aktore aktive në procesin e decentralizimit dhe një zë përfaqësues në Europë, si anëtare e delegacionit në Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës dhe përfaqëson 308 komunat, ku jetojnë 53% e popullsisë së Shqipërisë./s.s./
KOMENTE