Demiri: Huaja E Marrë Nga Qeveria Shkon Per Financimin E Shpenzimeve Kapitale
-Qeveria ka krijuar një kuadër makroekonomik fiskal që synon reduktimin e borxhit publik nga rreth 60 % që ishte në fund të vitit të kaluar, në 53 % në fund të vitit 2013-
TIRANE 29 Qershor/ATSH-A.Gjonaj/- Drejtori i Menaxhimit të Borxhit Publik në Ministrinë e Financave Xhentil Demiri deklaroi të martën për ATSH-në se huaja e marrë dje nga Ministria e Financave do të shkojë për të plotësuar
nevojat për shpenzime kapitale .
"Ministria e Financave përfundoi dje me sukses emetimin e një bonoje thesari të denominuar në euro. Ky instrument është në përputhje me strategjinë e huamarrjes për vitin 2010 dhe ekuivalentja e tij në lekë është e parashikuar në buxhet, si pjesë e financimit të defiçitit buxhetor", deklaroi Demiri.
Në këtë aspekt, theksoi ai, kjo hua nuk është instrument i ri, por instrumenti i përzgjedhur është i ri dhe në përputhje me strategjinë e Ministrisë së Financave për të diversifikuar burimet e financimit dhe për të shfrytëzuar një likuiditet të bollshëm që aktualisht ndodhet në treg.
"Konkretisht gjatë 5 muajve të fundit likuiditeti i hyrë në euro i shtuar është në prag të 300 milionë eurosh, ndërkohë që sektori privat ka tërhequr diku te 100 milionë euro dhe 200 milionë euro të mbetura do të shkonin të investoheshin në instrumente afatshkurtër jashtë vendit", tha Demiri. Ai u shpreh se ne kemi studiuar tregun dhe pamë të arsyeshme për të plotësuar edhe nevojat për shpenzime kapitale që ministria e Financave ka për të paguar në euro, të ndërhynim në treg me këtë instrument afatshkurtër dhe me një sasi të kufizuar që përbën, jo më shumë se 1/9 e volumit të shtuar disponibël për investim që ka tregu bankar në këtë moment.
Demiri theksoi se sasia e ofruar nga tregu për të blerë këtë bono të qeverisë ishte rreth 33 milionë euro, dhe ajo që u pranua nga ministria e Financave është 25 milionë euro, sasi kjo në përputhje me shpalljen publike që ne kishim bërë për këtë emetim. "Interesi më i lartë i pranuar nga ministria e Financave ishte 6.19 % dhe pjesmarrja qoftë e institucioneve bankare apo edhe indiidëve ishte e lartë dhe e diversifikuar", deklaroi Demiri.
Në tender, sipas Demirit, morën pjesë rreth 8 banka të nivelit të dytë me aktivitet kryesor në vend. Nga Ministria e Financave theksoi ai u përzgjodhën disa banka në përputhje edhe me nevojat dhe profilin e riskut dhe të interesit të parashikuar sa i përket shpenzimeve për interesa të borxhit.
"Ky borxh është në vijim të plotësimit të nevojave për financimin e defiçitit buxhetor që shkaktohet nga shëpenzimet kapitale. Pjesa e defiçitit buxhetor është më e vogël se sa shpenzimet kapitale të llogaritura për vitin çka automatikist i gjithë defiçiti është për investime ndaj edhe ky instrument si pjesë e financimit të defiçitit do të përdoret për investime."-tha Demiri
Përsa i takon borxhit publik në vend, Demiri theksoi se "borxhi publik është në shifra paksa të larta, i cili është shpejtuar dy vitet e fundit". Qeveria, sipas tij, ka krijuar një kuadër makroekonomik fiskal për tre vitet e ardhshme që synon reduktimin e borxhit publik nga rreth 60 % që ishte në fund të vitit të kaluar, në 53 % në fund të vitit 2013.
"Situata e borxhit publik sa i përket riskut të portofolit të borxhit është e mire dhe e qëndrueshme", deklaroi Demiri, ndërsa theksoi se "riskut i portofolit të borxhit është i ulët, por Ministria e Finacave do të preferonte që përqindja e borxhit publik si stok ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto të ulet".
Borxhi publik aktualisht llogaritet 59.5 %. Qeveria shqiptare vendosi të dalë për herë të parë në tregjet financiare botërore dhe kërkoi të emetojë një eurobond deri në 400 milion euro me normë interesi deri në 8.5 për qind. Ajo u tërhoq deri në një moment më të përshtatshëm pasi aktualisht, normat e interesit në tregjet ndërkombëtare janë mbi 9 %.
Për këtë Ministria e Financave u shpreh se tregu është akoma i papërshtatshëm dhe se jemi në konsultim të vazhdueshëm me partnerët e qeverisë "JP Morgan" dhe "Deutsche Bank" për emetimin e eurobondit.
"Do të presim momentin që tregjet të hapen dhe normat e interesit të pritshme nga tregu të jenë favorizuese për ne", theksuan burimet nga Ministria e Financave. Sipas tyre, emetimi i eurobondit do të bëhej përpara afatit të pagimit të këstit të kredisë sindikale të marrë vitin që shkoi nga qeveria shqiptare për rrugën Durrës-Kukës, por tregjet ishin të pafavorshme, ndaj Ministria e Financave vendosi të shtyjë këtë vendim në një moment më të përshtatshëm. /a.gj/