Gara E Misseve, Në 1 Korrik Në Kalanë E Gjirokastrës
GJIROKASTËR, 28 Qershor/ATSH-Telnis Skuqi/ - Prej disa ditësh 33 bukuroshet e edicionit të 12-të të konkursit "Miss Shqipëria" po përgatiten në kalanë e Gjirokastrës për spektaklin e madh që do të mbahet në 1 korrik.
Skena rrethore me tapet druri në kalanë e Gjirokastrës, qytetit në jug të vendit, siç shprehet producenti i spektaklit Petri Bozo, është një dhuratë që nuk gjendet në asnjë kala tjetër të Shqipërisë. "Më mirë vonë se kurrë!", thotë Bozo, duke nënkuptuar se kalaja e Gjirokastrës ishte "piketuar" vite më parë, por mungonte infrastruktura hoteliere, që sot i gjen me bollëk.
Ai tregon se sivjet, në fazën e parë të seleksionimit, kanë marrë pjesë 452 vajza, një shifër rekord për historinë e këtij spektakli. "Gjatë fazës së seleksionimit janë përzgjedhur vetëm 33 vajza", thotë Bozo, ndërsa nënvizon se vetëm njëra prej tyre do të kurorëzohet mbretëresha e bukurisë shqiptare dhe do të marrë pjesë direkt në konkursin ndërkombëtar "Miss Globe International 2010".
Ajo që të bën përshtypje në qytetin e gurtë me raport me mentalitetin, vijon producenti i spektaklit, është mikpritja dhe dashuria që ofrojnë njerëzit e thjeshtë, ndërsa nga ana tjetër është indiferenca e pushtetit vendor.
Një prej konkurrenteve për Miss, Kadrie Canolli nga Prishtina (Kosova), 22 vjeç, studente e gazetarisë, tregon se në Gjirokastër shkel për herë të parë dhe ka mbetur e mrekulluar nga arkitektura mesjetare.
"Është një qytet fantastik me njerëz bujarë", tregon Canolli, ndërsa nënvizon se pjesëmarrja në konkursin e "Miss Shqipëria" është një eksperiencë që nuk do harrohet kurrë.
Shoqëria me 32 misset e tjera, vijon Canolli, më ka bërë të përjetoj çaste të paharrueshme.
"Për mua nuk ka rëndësi çmimi, por të përfaqësoj denjësisht cucat e Kosovës", thotë me sinqeritet Canolli.
Për 18 vjeçaren Ena Beqaj nga Podgorica e Malit të Zi, Gjirokastra ka një arkitekturë të veçantë të Ballkan dhe kalaja është e vendosur si "qershia mbi tortë", në qendër të zonës muzeale.
"Kisha dëgjuar dhe lexuar për qytetin, por ku e viziton për herë të parë, të them të drejtën mbetesh pa fjalë", pohon Beqaj.
Ines Riza, nga Tirana, 19 vjeç, studente në degën e spanjishtes, shton se gjatë ekspeditës 10 ditore në jug të vendit i ka pëlqyer shumë Antigonea, emri që simbolizon dashurinë.
Në Rrapin e Libohovës kam shijuar mishin më të mirë, ndërsa në Gjirokastër kam "shijuar" mikpritjen, shprehet Riza. /s.s./