English

Gëlon droga në Plazhin e Durrësit, policia “peshkon” 200 gramë heroinë

ME SHUME FOTO TE GALERIA

Durrës, 29 qershor 2010 NOA – Një sasi e konsiderueshme heroine u zbulua mbrëmjen e sotme në zonën bregdetare të Durrësit në plazh, raporton korrespondenti i agjencisë NOA. Droga që ju shihni dhe në fotot, iu kap tre djemve të rinj në vendin e quajtur Ura e Dajlanit pranë plazhit “Teuta”.

Seksioni Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë Qarkut Durrës, konfirmoi arrestimin e Saimir Jusufi, 25 vjeç, lindur ne Durres e banues ne lagjen 4 Durrës, Agustin Ndoj, 24 vjeç, lindur e banues ne lagjen 8 Durrës, dhe Enea Tabaku, 25 vjeçar, lindur ne Gramsh e banues në Shkallnuer të Durrësit.

Policia konfirmoi se operacioni policor i koduar “Trekëndëshi” u finalizua në bazë të punës hetimore të kryer me përgjim prej disa kohësh të të dyshuarve.

Aksioni i mbrëmjes së sotme u përqendrua në lagjen 13 Plazhi Teuta në Durrës, poshtë Mbikalimit të Urës së Dajlanit, ku tre të rinjtë, u kapën duke tregtuar lëndë narkotike. Në cilësinë e provës materiale këtyre shtetasve iu gjet e bllokua sasia prej 202.75 gram lende e dyshuar si narkotike e llojit heroine si dhe tre telefona celularë se bashku me kartat Sim.

Po në bazë të punës hetimore të kryer rezulton se tre djemtë, krahas zonës së Plazhit, ushtronin aktivitetin e shpërndarjes së lëndëve narkotike edhe në territorin midis lagjeve 15, 4 dhe fshatit Shkallnuer Durrës.

Policia tha se materialet per vepren penale të prodhimit e shitjes se lendeve narkotike te kryer ne bashkëpunim iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.

Ndërkohë, Drejtori Policisë së Qarkut, Drejtues Aleks Hajdari, i tha agjencisë NOA,

se “Seksioni Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë Qarkut Durrës, ka hartuar e është në zbatim të një plani të veçantë masash në drejtim të goditjes së rasteve të shpërndarjes së lëndëve narkotike përgjatë sezonit turistik në plazhe e vendet e frekuentuara nga pushuesit”.

a.r/r.n/NOA

KOMENTE