Ilir Zhilla Nderohet Me Medalje Të Argjendë Për Kontribut Në Mbështetjen E Investimeve Te Huaja
-Medalja i jepet në Forumin e 21 të Crans Montanës, mbajtur këto ditë në Bruksel-
TIRANE, 29 Qershor/ATSH-A.Gjonaj/- Kryetari i Dhomave të Tregtisë së Shqipërisë, Ilir Zhilla, është nderuar me Medaljen e Argjendë për kontributin e dhënë në zhvillimet e Forumit të Crans Montanës dhe si një partner lokal në mbështetje të investimeve të huaja në vendin tonë.
Në forumin jubilar të zhvilluar në Bruksel, me rastin e 20 vjetorit të krijimit të Crans Montanës, me medalje të Argjendë u nderuan nga Europa kreu i Dhomave të Tregtisë së Shqipërisë, Ilir Zhilla, si dhe ish- kryetari i Këshillit të Europës, Walter Schwimmer.
Në Forumin e 21 të Crans Montanës morën pjesë përfaqësues të biznesit, por edhe politikanë nga të gjitha kontinentet. Gjatë këtij forumi u diskutua mbi zhvillimin e energjetikës, por edhe masat postë-krizë, ku Shqipëria, sipas Zhillës, u veçua si një rast i veçantë, i cili i rezistoi presionit të krizës financiare globale, në sajë të reformave të ndërmarra në ekonomi para krizës, por edhe tërheqjes së investimeve të huaja, ku një rol të veçantë ka luajtur edhe mbajtja e forumit të Crans Montanës për 5 herë me radhë në Shqipëri.
Dhoma e Tregtisë së Shqipërisë ka qënë aktive jo vetëm si partner lokal, por edhe në forumet e zhvilluara në kryeqytetet e botës, ku ka prezantuar ecurinë e reformave dhe ekonomisë shqiptare si dhe resurset e vendit.
Investimet e huaja direkte në Shqipëri për tremujorin e parë të këtij viti llogariten 154 milionë euro, nga 120 milionë euro që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë./s.s./