English

Komisioni I Ligjeve Nis Nesër Seancat Dëgjimore Me Kandidatët Për Gjykatën E Lartë

TIRANË, 29 Qershor/ATSH/.- Komisioni parlamentar i Ligjeve nis nesër seancat dëgjimore me kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë, të propozuar në dekretet e emërimit nga Presidenti i Republikës. Sipas axhendës zyrtare të komisionit, seria e seancave dëgjimore do të nisë të mërkurën me kandidatin Medi Bici, për të vijuar më pas me dy kandidaturat e tjera, Sokol Çomo dhe Vexhi Muçmataj. Nisja e diskutimit të dekreteve do të bëhet pas plotësimit të dosjes së secilit kandidat me informacione nga disa institucione si, Prokuroria, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Ministria e Drejtësisë, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Dhoma e Avokatisë. Sipas kalendarit të punimeve të Kuvendit, dekretet e Presidentit për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, të depozituara për shqyrtim në parlament më 25 maj, do të programohen për t'u votuar në seancë plenare sapo të jenë gati. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në përmbushje të detyrimit të tij kushtetues, më 25 janar 2010 nisi procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj për 6 vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe 4 vendet në Gjykatën e Lartë. Në bazë të përcaktimeve kushtetuese dhe ligjore, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga radhët e gjyqtarëve me vjetërsi pune jo më pak se 10 vjet ose nga radhët e juristëve të shquar, që e kanë ushtruar këtë profesion për jo më pak se 15 vjet. Presidenti i Republikës për mbarëvatjen e procesit përzgjedhës të kandidaturave ngriti një grup këshillimor, për të mos u përsëritur më rasti i vitit 2008 kur pesë kandidaturat e propozuara prej tij për vendet vakante në Gjykatën e Lartë u rrëzuan në parlament me shumicë votash, më 16 qershor 2008. Maxhoranca në atë kohë u deklarua se Kreu i shtetit nuk ishte konsultuar më parë lidhur me kandidaturat që do t'i përcillte Kuvendit. Më 13 maj 2010, pas konsultimeve me grupin këshillimor, Kreu i shtetit i përcolli Kuvendit për shqyrtim tre kandidaturat për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese; përkatësisht Altina Xhoxhaj, Bashkim Dedja dhe Vangjel Kosta. Ndërsa dy të parët morën pëlqimin e Kuvendit në seancën plenare të 20 majit, kandidati i fundit nuk u miratua nga maxhoranca. Përfaqësues të saj e komentuan rrëzimin e Kostës në parlament me argumentin se "ishte kandidaturë politike që i kishte shërbyer regjimit të kaluar". /a.s//a.ke/
KOMENTE