Kukës: Ndërtimet Pa Leje Pranë Autostradës, Me Pasoja Për Komunitetin
KUKËS, 29 qershor /ATSH-R.Hoxha/ - Hapja e autostradës Durrës-Morinë, pëveç lehtësimit të lëvizjes në pjesën verilindore të vendit dhe drejt Kosovës dhe zhvillimit ekonomik premtues në sfond të rajonit, ka dhe efektet anësore, ndër të cilat veçohen ndërtimet e nxituara pa leje.
Buzë autostradës, sidomos pranë qendrave të banuara, kanë filluar ndërtimet pa leje, që janë kthyer në shqetësim për drejtuesit vendorë dhe banorët.
Ndërtimet pa leje, sipas kryetarit të bashkisë së Kukësit, Hasan Halilaj, janë një fenomen që "mund të sjellë pasoja për komunitetin", dhe bashkia ka nisur të marrë masa.
"Po hartohet një plan masash për prishjen e të 14 ndërtimeve pa leje të identifikuara si dhe për mbylljen e rrugëkalimeve të pamiratuara përgjatë autostradës," tha zoti Hallilaj.
Sipas tij, i duhet dhënë një zgjidhje mbylljes së rrugëkalimeve të pamiratuara, që lidhin autostradën me fshatrat në të dy anët e saj, madje dhe të fshatrave që autostrada i ndan në dy pjesë.
"Që kur është miratuar projekti na është thënë se do të ndërtohen mbikalimet, por deri tani asgjë nuk është bërë, madje nuk ka asnjë mbikalim që ta lidhë qytetin e Kukësit me mbi 25 mijë banorë me liqenin e Fierzës", thotë Halilaj.
Ky shqetësim është më evident për fshatrat afër autostradës, banorët e të cilëve kanë tokat bujqësore në të dy anët e saj./ch/